Foto: Rtv21

Telashet nëpër komuna, vonohet procesi i vaksinimit

Vaksinimi anti COVID-19 nuk ka filluar ende në Prizren, Pejë, Gjakovë dhe Gjilan.

Sipas drejtorit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Xhevat Elezkurtaj, ende nuk ka filluar vaksinimi në Prizren ndërsa numrin e vaksinave të ndara e ka konsideruar shumë të vogël.

“Sapo na lajmëruan që për Prizren janë ndarë 1.620 vaksina anti COVID-19 dhe besoj se pasdite sot do fillojmë vaksinimin e grupmoshave të parapara në projektin nacional për vaksinim. Numri vaksinave është shume i vogël, por shpresoj se brenda javës prapë na furnizojnë”, thënë Elezkurtaj për KALLXO.com

Vaksinimi nuk ka nisur as në Komunën e Gjakovës. Sipas drejtoreshës komunale të shëndetësisë në këtë komunë, Ministria e Shëndetësisë i ka furnizuar vetëm me 800 vaksina.

“Janë 700 dozaAstra Zeneca dhe 100 Pfizer dhe e kemi vetëm një Qendër të Vaksinimit. Nëse kemi në vazhdim më shumë doza do të zgjerohemi me Qendra të tjera”, ka thënë Aferdita Spahiu-Shllaku.

Edhe qyteti i Pejës dhe ai i Gjilanit e kanë të njëjtën situatë.

Drejtori komunal i shëndetësisë në Pejë, Petrit Loci ka deklaruar për KALLXO.com se ende s’i kanë marrë vaksinat ndërsa kanë paraparë që nesër të fillojë vaksinimi.

“Ende s’kemi filluar vaksinimin, besojmë se nesër fillojmë. E kemi qendrën e veçantë të vaksinimit dhe po planifikojmë të hapim edhe një qendër tjetër në momentin që marrin doza më shumë. Numri është e vaksinave nuk e di sepse ende s’i kemi marrë”, ka thënë Loci.

Drejtoria e Shëndetësisë në Gjilan sot ka pranuar 640 doza të vaksinës AstraZeneca.

Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, ka bërë të ditur se prioritet është grup mosha mbi moshën70 vjeçare, të cilët janë regjistruar, por që nuk janë vaksinuar akoma.

“Ekipet e vaksinimit do t’i kontaktojnë qytetarët mbi moshën 70-vjeçare sipas planit dinamik të vaksinimit. Ndërkaq, kërkojmë nga qytetarët mbi moshën 65 vjeçare që të fillojnë të regjistrohen për vaksinim në Qendrat më të afërta të mjekësisë familjare. E kemi bërë planin që të mos shkaktohet tollovi në këtë proces të ruajtjes së shëndetit publik”, ka thënë Haziri.

Kryetari i Gjilanit bëri të ditur se vaksnimi do të bëhet në Qendrën e Mjekësisë Familjare “Ramiz Cernica”, në rrugën “Pajazit Ahmeti” (afër tregut të rërës).

Në anën tjetër, KALLXO.com sot ka raportuar për grumbullimin e qytetarëve te Qendra e Imunizimit në Prishtinë “1 Tetori”.

Ndërsa Ministria e Shëndetësisë ka dhënë arsyetim për grumbujt e njerëzve para qendrës së imunizimit “1 Tetori”.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, grumbullimi është shkaktuar për arsye se kanë ardhur qytetarë edhe nga komunat e tjera.

MSh njofton po ashtu se qytetarët e komunave të tjera duhet t’u drejtohen qendrave të vaksinimit në komunat e tyre, me qëllim që të marrin informatat e duhura dhe të vaksinohen.

Ministria e Shëndetësisë arsyetohet për grumbullimin e qytetarëve te salla “1 Tetori”