Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministria e Shëndetësisë arsyetohet për grumbullimin e qytetarëve te salla "1 Tetori"

Ministria e Shëndetësisë ka dhënë arsyetim për grumbujt e njerëzve para qendrës së imunizimit “1 Tetori”.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, grumbullimi është shkaktuar për arsye se kanë ardhur qytetarë edhe nga komunat e tjera.

MSh njofton po ashtu se qytetarët e komunave të tjera duhet t’u drejtohen qendrave të vaksinimit në komunat e tyre, me qëllim që të marrin informatat e duhura dhe të vaksinohen.

“Grumbullimet e krijuara sot para sallës “1 Tetori”, vjen si pasojë se aty kanë ardhur të vaksinohen qytetarë edhe nga komunat e tjera, përkundër njoftimeve të bëra ditëve të kaluara dhe dje se qytetarët do të vaksinohen në komunën e tyre.  Qytetarët e komunave të tjera të Republikës së Kosovës luten që t’u drejtohen qendrave të vaksinimit në komunat e tyre, me qëllim që të marrin informatat e duhura dhe të vaksinohen. Meqë vaksinimi kundër COVID-19 është proces dinamik që do të vijojë deri në vaksinimin e të gjitha kategorive të parapara në Planin e vaksinimit, luten qytetarët që të përcjellin njoftimet e MSh-së dhe t’i shmangin grumbullimet para qendrave të vaksinimit përderisa mundësia e vaksinimit do të jetë e hapur çdo ditë në secilën komunë”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Shëndetësisë.