Të shtënat me armë zjarri në lagjen "Bregu i Diellit", Policia jep detaje

Një incident gjatë të cilit ka pasur të shtëna me armë zjarri ka ndodhur sonte në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë.

Policia e ka konfirmuar për KALLXO.com rastin.

Zëdhënësi i Policisë, Agron Borovci, tha se rreth orës 21:30 është raportuar për të shtëna me armë zjarri në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë.

Sipas tij, Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore.

“Nga veprimet e para policore në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar disa gëzhoja, ndërkohë që deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar” – tha Borovci.

Zëdhënësi tha se Policia po punon në mënyrë aktive për të mbledhur më shumë informacione rreth identifikimit të të dyshuarve dhe, në të njëjtën kohë, po vijon punën hetimore me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.