Të rinjtë e AAK-së i vendosin një arkivol Kurtit afër zyrës

Të rinjtë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ia kanë vendosur një arkivol pranë ndërtesës së Qeverisë në formë simbolike për të kundërshtuar heqjen e tarifës 100% ndaj mallrave serbe dhe Bosnjes e Hercegovinës.

Në këtë arkivol, ata kanë shkruar të gjitha çështjet në të cilat ata pretendojnë se kryeministri Albin Kurti ka shkelur parimet e veta.

Pas vendosjes së arkivolit, AAK ka njoftuar se janë arrestuar disa nga aktivistët.

Ndërsa, për rastin ka reaguar edhe ish-kryeministri dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj. Ai ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të tyre.

“Dënoj ashpër aktin e arrestimit të aktivistëve të Aleancës së të Rinjëve të AAK-së, Naim Ramizi, Musa Lekaj, dhe Edonis Kamberi, të cilët ishin duke realizuar një aksion simbolik kundër heqjes së taksës, para objektit të Qeverisë. Trajtimi policor i qytetarëve të ndershëm, vetëm pse ia kujtojnë Kryeministrit Kurti shkeljen flagrante të parimeve të dikurshme, është kundër frymës së Kushtetutës së Kosovës, dhe ligjeve në fuqi”, ka shkruar Haradinaj.

“I bëjmë thirrje pushtetit dhe institucioneve të rendit, që të lirojë menjëherë aktivistët e arrestuar, dhe të mos ua shkelë të drejtën e garantuar të kundërshtimit paqësor e politik qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e tij.

Ndaj këtij rasti ka reaguar edhe deputetja e kësaj partie, Teuta haxhiu.

“Shpreh shqetësimin tim për arrestimin e aktivisteve te AAK-së që ishin duke e bërë një aksion simbolik”, ka thënë ajo.