Të premtuara para 5 muajve, qytetarët që humbën punën gjatë pandemisë ende nuk i kanë marrë ndihmat e shtetit

Me 16 janar të këtij viti, Qeveria që në atë kohë udhëhiqej nga Avdullah Hoti, kishte miratuar Programin e Rimëkëmbjes Ekonomike, në vlerë totale prej 222 milionë eurove.

Ndër të tjera, ky program, i bazuar edhe në Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, parashihte që punëtorët e sektorit privat që kanë humbur vendin e punës si pasojë e pandemisë, të kompensohen me nga 300 euro, për 3 muaj.

Edhe pse mjetet për këtë qëllim janë ndarë, qytetarët e Kosovës ende nuk e kanë marrë ndihmën e premtuar nga ana e shtetit.

10 milionë euro është shuma e ndarë për këtë kategori të punëtorëve, që përfshihen në masën e 16-të, të Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike.

Por, që shpërndarja dhe implementimi i këtyre mjeteve ka ngecur tash e sa kohë.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve për të kuptuar se ku ka ngecur implementimi, por të njëjtit nuk janë përgjigjur, edhe pas 3 jave pritje.

Në anën tjetër, një përgjigje e Ministrisë së Financave, e muajit mars të këtij viti, thuhej se Ministria i ka ndarë mjetet, në shifrën prej 10 milionë eurove, ndërsa për implementim të tyre përgjegjëse është Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS).

Kjo e fundit, pas formimit të Qeverisë Kurti, është shkrirë në Ministri të Financave, që tash quhet Ministria e Finanacave, Punës dhe Transfereve.

Sipas përgjigjes gjithashtu të muajit mars 2021, të MPMS-së në atë kohë, thuhej se për implementimin e këtyre ndihmave do të krijohet një Grup Ndërministror për përcaktim të kritereve për aplikim, si dhe do të krijohej një platformë elektronike, që do të shërbente për aplikim.

“Grupi Punues Ndërministror brenda dy ditësh obligohet të hartojë dokumentin e kritereve se kush mund të përfitojë nga aplikimi i Masës 16, sipas Vendimit të Qeverisë. Këto kritere do të përfshihen në draftvendimin i cili do të dërgohet në Qeveri për aprovim”, thuhej në përgjigjen e MPMS-së, të datës 16 mars.

Nga ana e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, ende nuk ka një përgjigje se çka ka ndodhur me Grupin Ndërministror dhe se a është krijuar platforma elektronike që do të shërbente për aplikim.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë direkt përmes telefonit edhe ministrin Hekuran Murati, por që i njëjti nuk i është përgjigjur thirrjeve.

Pa punë e pa ndihma nga shteti, ende asnjë cent për qytetarët që humbën punën si pasojë e COVID19