Të prekurit e fundit me coronavirus nga Malisheva, Prishtina e Vushtrria

Rastet e reja të prekura me coronavirus janë nga Malisheva, Prishtina e Vushtrria.

Numri i të prekurve me coronavirus në Kosovë është rritur në 71.

Kështu ka bërë të ditur Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, me anë të një njoftimi ku ka dhënë edhe detaje rreth rasteve të konfirmuara.

Sipash IKSHP-së, tetë rastet e reja të konfirmuara sot, katër raste janë me vendbanim në fshatin Domanek të Komunës së Malishevës.

KALLXO.com ka kontaktuar me kryetarin e Komunës së Malishevës, Ragip Begaj i cili tregoi se gjatë ditës së sotme janë marrë mostra nga familjarë të një personi i cili më herët kishte rezultuar pozitiv me coronavirus nga ky fshat dhe janë marrë mostra nga disa persona të stafit mjekësor në Malishevë.

Tre raste të tjera kanë dalë pozitive me coronavirus në Prishtinë dhe një tjetër në fshatin Studime e Ulët në Komunën e Vushtrrisë.

IKSHP ka njoftuar se nga data 08.02.2020 deri me 25.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 766 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, gjithsej shtatëdhjetë e një (71) raste kanë rezultuar pozitive, me një (1) rast të vdekjes i një të moshuari 82 vjeç.