Foto: BBC

Të paktën 21 persona të vdekur pas reshjeve të mëdha të borës në Pakistan

Të paktën 21 persona kanë vdekur pasi bora e madhe i ka bllokuar në automjetet e tyre në veri të Pakistanit.

Rreth 1,000 automjete u bllokuan pasi disa turistë thuhet se nxituan për të parë reshjet e borës dimërore në qytetin Murree në majë të kodrës, raporton BBC.

Një polic, gruaja e tij dhe gjashtë fëmijët e tyre, si dhe një familje tjetër me pesë anëtarë, janë në mesin e të vdekurve, sipas shërbimeve lokale të urgjencës “Rescue 1122”.

Ushtria po përpiqet të pastrojë rrugët dhe të shpëtojë ata që janë ende të bllokuar.

Ministri i Brendshëm, Sheikh Rashid, tha se kriza ishte shkaktuar nga numri i njerëzve që udhëtonin në zonë, në veri të kryeqytetit Islamabad. Më shumë se 100,000 makina kishin mbërritur në qytetin e epokës koloniale ditët e fundit, me mediat sociale në Pakistan të përmbytura me fotografi të njerëzve që shijonin borën.

Por deri të premten, media lokale raportuan se turistët po bllokoheshin. Të shtunën, bora e madhe dhe shtimi i automjeteve i shtynë autoritetet ta shpallin rajonin si zonë fatkeqësie.

Murree u ndërtua nga britanikët në shekullin e 19-të si një bazë mjekësore për trupat e saj koloniale.