Tanja Fajon merr udhëheqjen e Partisë Social Demokrate në Slloveni

Eurodeputetja Tanja Fajon mori sot drejtimin e Partisë Social Demokrate të Sllovenisë nga kryetari i deritanishëm Dejan Zhidan.

“Jam krenar që njerëzit nuk po pyesin më nëse Partia Social Demokrate do të vijë në parlament, por çfarë duhet bërë për t’u bërë partia udhëheqëse,” thekson Zhidan.

Ai beson se partia nën udhëheqjen e tij ka operuar me shumë sukses gjatë gjashtë viteve të fundit, por shton se partisë i duhet një fytyrë e re në krye.

Zhidan dëshiron që Partia Social Demokrate të bëhet partia udhëheqëse në Slloveni, por ai ka vendosur që kjo nuk do ndodhë me të në krye.

Zhidan theksoi se Tanja Fajon ka mbështetje unanime në kryesinë e partisë dhe se ajo është e aftë dhe popullore. Ai thotë për të se ajo do të jetë Kryeministrja e ardhshme e Sllovenisë dhe se Sllovenia ka një të ardhme të ndritur përpara me Partinë Sociale Demokrate. Ai beson se ka ardhur koha që qeveria sllovene të drejtohet përsëri nga një grua.

Tanja Fajon tha se është plot ambicie dhe se partia SD mund të bëjë shumë më tepër nga sa ka arritur deri më tani. Ajo theksoi se partia është në gjendje të mirë, por se dëshiron ndryshime në punën e saj, veçanërisht më shumë integrim në polin e majtë politik. Ajo tha se shumë njerëz nuk janë të përfshirë në politikë dhe dëshiron t’u drejtohet atyre.

Gjatë mandatit të kaluar në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon gjithashtu ka qenë raportuese për Kosovën dhe ka qenë vazhdimisht e angazhuar në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Ajo gjithashtu vazhdimisht ka qenë kundër kushteve shtesë që i ishin dhënë Kosovës për të fituar heqjen e vizave.