Donika Gervalla

Gërvalla i konsideron 'spekulim të mediave' raportimet për ambsadorin Berishaj

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon ka refuzuar të flasë për rastin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj i cili është përmendur për përfshirje në “skandalin financiar” që u zbulua në Slloveni, pasi mediat sllovene raportuan se ai ka bartur para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi tek politikani slloven, Robert Golob.

Ndërsa ministrja e jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla tha se nuk mund të shkarkojnë një ambasador vetëm për shkak të “spekulimeve të ndryshme mediale, pa pasur pasur fakte”.

“Duhet të kemi mirëkuptim që ambasadori nuk shkarkohet për shkak të spekulimeve të ndryshme mediale, ambasadori shkarkohet në momentin kur ka arsye faktike, pse ambasadori do duhej të shkarkohej për shkak se mund të ketë diku shkelje nga ana e tij, deri në këtë moment, unë nuk kam as edhe një informacion të vetëm dhe me këmbëngulje me rrugë zyrtare do të vazhdoj të kërkoj informacionet, nuk kam asnjë informacion të vetëm që shkelje të tilla kanë ndodhur apo shkelje të këtyre natyrave janë duke ndodhur”-deklaroi Gërvalla.

Tutje ajo shtoi sot ka biseduar me ambasadorin Berishaj dhe në pamundësi të tij për të ardhur në Kosovë, është rekomanduar të organizohet një konferencë e përbashkët për media me të, por e njëjta nuk dihet se kur do të ndodhë.

“Unë sot në mëngjes kam biseduar me ambasadorin Berishaj dhe ai ka treguar gatishmërinë që ose me shkrim ose ndoshta po të kemi mundësi ta sjellim këtu sepse është mes Kroacisë dhe Kosovës në forum ekonomik i cili është shumë i rëndësishëm për vendin tonë dhe nuk e di në cilin moment ambasadori Berishaj do të mund të shkëputet”.

“Por ai ka treguar gatishmëri që të bëjmë një konferencë të përbashkët për shtyp dhe aty të ketë mundësi të iu përgjigjet të gjitha pyetjeve tuaja si gazetarë të cilat janë legjitime si pyetje, por nuk është legjitime që të vazhdohet me fushatë që nuk bazohet në argumente dhe fakte” – potencoi ministrja jashtme e Kosovës.

Sipas saj mediat dhe gazetarët “nuk duhet të vazhdojnë të bëjnë fushatë” lidhur me këtë rast pa pasur argumente dhe fakte.

“Më lejoni të them shumë unë kam kërkuar dhe vazhdoj të kërkoj që kur janë ngritur spekulimet e para rreth çështjes së ambasadorit Berishaj , nga shtet të cilat janë përmendur në rrugë zyrtare që na japin informacione që a janë të vërteta apo janë vetëm spekulime të mediave të ndryshme akuzat ndaj tij”- theksoi Gërvalla.