Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Tahiri: Paga minimale duhet të jetë 370 euro neto

Kryetari i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka reaguar pasi Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për pagën minimale dhe i ka hapur rrugë vendimit për rritjen e saj.

Tahiri ka thënë se paga minimale duhet të jetë 370 euro neto.

“Paga minimale duhet të jetë 370 euro neto, që nënkupton 400 euro bruto. Vendimi i sotëm është edhe një pazotësi e qeverisë me ju përgjigje gjendjes së rendë në vend. Në fakt, vlerësimet e fundit tregojnë se 250 euro vetëm sa ka arritur paga në shumë veprimtari të sektorit privat”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Dje, kryetari i AAK-së dhe ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas masave të fundit të Qeverisë për ndarjen e 100 eurove për disa kategori në Kosovë.

Ai tha se shuma prej 100 eurove, sipas tij, e fsheh dështimin e Kurtit për rritjen e pagave.

“Është e vogël kjo shumë që Kurti ta fsheh dështimin e tij për rritjen e pagave. Të punësuarit kanë nevojë për paga të dinjitetshme”, ka thënë Haradinaj.

Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për pagën minimale, që sipas kryeministrit Kurti do të jetë 250 euro neto dhe 264 euro bruto. Miratimi i këtij projektligji i hap rrugë sjelljes në qeveri të vendimit për rritje të pagës minimale.

Qeveria ka miratuar Projekligjin për plotësim-ndryshimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e benificionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore.