Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Tahiri: Paga minimale do të duhej të ishte 400 euro

Paga minimale do duhej të ishte 400 euro aq sa ka kërkuar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Kështu tha shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, në një konferencë për media lidhur me Ligjin për pagën minimale, i cili është miratuar nga Kuvendi i Kosovës në seancën e javës së kaluar.

“Sipas këtij Ligji sektorët e ekonomisë janë buzë kolapsit. Punëtorët që janë në sektorin privat nuk kanë asnjë të drejtë dhe kjo e drejtë u është shtypur në mënyrë flagrante edhe me Ligjin për pagën minimale me një mashtrim të paskrupullt, ku thuhet se paga minimale është rritur” – theksoi ai.

Tahiri u ka kërkuar ministrit të Financave, Hekuran Muratit, si dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, që t’ia gjejnë një të punësuar në sektorin privat “i cili ka pagën më të vogël se 260 euro”.

Ai thotë se Ligji për pagën minimale është miratuar me një  qëllim – largimin e kategorisë së veteranëve nga paga minimale dhe kategorisë së paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve.

Gjatë kësaj konference, Besnik Tahiri ka folur edhe për zyrtarët e administratës së Kosovës.

“Zyrtarët shtetërorë, ata që punojnë në administratë të shtetit, policët, mjekët, në të gjitha nivelet kurrë nuk kanë qenë më të dobët, më të varfër dhe kurrë s’kanë pasur më pak siguri juridike në vend” – theksoi ai.

Gjatë prononcimit, Tahiri deklaroi se në rrafshin e brendshëm Kosova kurrë s’ka pasur më pak sovranitet, veriu nuk është në duar të askujt dhe kemi dy kryetarë të cilët janë të mbyllur tash e më shumë se një muaj.

“Rreziku i cili po shtohet është se në pjesën e veriut, kur nuk ka veprim nga Qeveria, do të kthehet në vendim të rezolutës 1244” – deklaron Tahiri.