Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Tahiri akuzon Ministrinë e Shëndetësisë për vjedhje në kohë të pandemisë

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës, Abelard Tahiri tha se Qeveria nuk është e interesuar të kaloj Marrëveshjen bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut për mbështetje shëndetësore. Ai akuzoi Ministrinë e Shëndetësisë për vjedhje në kohën e ish Qeverisë Kurti 1, gjatë pandemisë.

“Kur flasim te vjedhja, na vjedhje ma të madhe në sektorin e shëndetësisë se në kohë pandemie nuk kemi pa”, tha Tahiri

Sipas tij qeveria ka ble maska 500% më shtrenjtë gjatë asaj kohe.

“Po flasim për vjedhje dhe keqpërdorimet që kanë ndodh në kohën e qeverisjes Kurti 1, keqpërdorimi në secilën çështje deri të anulimi i Udhëzimit Administrativ për barna”, shtoi Tahiri.

Ndërsa sa i përket këtyre akuzave, Mirsad Shkreta deputet nga Lëvizja Vetëvendosje tha se qytetarët e kanë dhënë përgjigjen e tyre pas qeverisë Kurtit 1.

“Pretendimet e tilla politike për keqinformim të opinionit publik, nuk i bëjnë nder askujt, as vet deputetëve”, tha Shkreta.

Por Tahiri tha se po e akuzojnë drejt Ministrinë e Shëndetësisë dhe nuk do të ndalen deri sa të japin përgjegjësi për ato keqpërdorime.