Sveçla: Vuçiq i përfshirë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka qenë i përfshirë në sulmin terrorist ndaj policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.

“Askush nuk e vë në dyshim afërsinë e Aleksandar Vuçiqit me Milan Radoiçiq. Po ashtu armët që i kemi prezantuar dhe këto dëshmi këtu, na tregojnë qartazi që Aleksandar Vuçiq ka qenë i përfshirë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës”- ka thënë ai në një intervistë në Euro News.

Ministri Sveçla ka thënë se qëllimi i sulmit të së dielës ka qenë destabilizimi i gjerë.

“Qëllimi i tij ka qenë një destibalizim i shkallës së gjerë në veri të Kosovës, një lloj aksioni sikur [Putin që ka pasur në vitin 2014 në Donbas, me qëllim që duke ndryshuar situatën në terren, realisht të detyrojë Kosovën që të pranojë zgjidhje që janë jashtëzakonisht të dëmshme për Kosovën dhe të ardhmen e Kosovës ose të shkaktojë një konflikt rajonal për të shantazhuar bashkësinë ndërkombëtare për të intervenuar”- ka thënë ai.

Sipas ministrit Sveçla, Policia e Kosovës ka parandaluar një skenar shumë të rrezikshëm.

“Fatmirësisht kjo është parandaluar. Kemi një polic që ka humbur jetën, por është parandaluar një skenar jashtëzakonisht i rëndë, i rrezikshëm, një gjakderdhje të madhe, jo vetëm për terroristët por edhe për policët”- tha ai.

“Tash mund të themi që fal angazhimit profesional, fal guximit dhe gatishmërisë për sakrificë të secilit pjesëtar të Policisë të Kosovës që kanë qenë të kyçur në këtë aksion, ne kemi parandaluar një luftë të re në atë pjesë”- shtoi ai.

Tutje ministri Sveçla ka folur edhe për armatimin e grupit duke thënë se ata janë përgaditur për konflikt të përmesava të gjera.

“Nuk them që nuk ka ende armatime, nuk them që nuk ka ende grupe të cilët janë të gatshëm për të filluar konflikt, por sipas përgatitjes së tyre logjistike, ata janë përgatitur për konflikt të përmasave të gjera, në kohë për më të gjatë”- theksoi ai.

Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra, një tjetër u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Policia e Kosovës kishte rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjendeshin në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore vazhduan edhe në mbrëmje.

Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe tetë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve dhe dy janë arrestuar mbrëmë në një hotel në afërsi të Banjkës.

Policia dje prezantoi armatimin e gjetur pas këtij aksioni, dhe në mesin e gjërave të gjetura janë edhe disa dokumente që i përkasin nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq.

VIDEO – Publikohen pamje nga droni, Sveçla: Radojçiq shihet në mesin e grupit terrorist