KFOR në veriun e Kosovës - 28.09.2021 - FOTO - KALLXO

Sveçla: Serbët refuzuan zëvendësimin e specialëve me KFOR-in

Kryetarët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës kanë refuzuar ofertën e KFOR-it, që ky mision të përkujdeset pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak dhe që njësitë speciale të Policisë së Kosovës të tërhiqen, ka thënë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Këto komente ai i bëri të martën gjatë një konference për media në Prishtinë, pas një takimi që pati me homologun e tij austriak, Karl Nehammer.

Më 27 shtator, komandanti i misionit të Aleancës Veri-atlantike në Kosovë, gjeneralmajor Franco Federici tha se ka biseduar me përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe me kryetarët e komunave veriore për shtensionimin e situatës së veri të vendit.

“Duke qenë se KFOR-i ka ofruar angazhime shtesë dhe ka ofruar që të sigurojë policinë tonë kufitare me forca shtesë edhe në pikat kufitare, ne kemi thënë se me largimin e barrikadave, prezenca e njësive speciale do të ishte e panevojshme. Por, edhe kjo ofertë e komandantit të KFOR-it është refuzuar nga këto elemente ekstremiste dhe me këtë refuzim këta veçse e kanë dëshmuar që nuk janë të brengosur, siç thoshin më herët, me praninë e forcave speciale, por qëllimet e tyre janë thellësisht politike dhe në dëm të sovranitetit të vendit tonë”, deklaroi Sveçla.

Tutje ministri i Punëve të Bredshme ka falenderuar KFOR-in por edhe EULEX-in për ndihmën e vazhdueshme. Ndërsa, Sveçla ka arsyetuar edhe njëherë prezencën e njësive speciale në veri të vendit.

“Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës janë aty për të mbështetur punën e institucioneve tjera që kujdesen për rend dhe ligj atje, doganës dhe policisë kufitare. Në momentin që do të përfundoj nevoja për këtë mbështetje nuk kemi asnjë arsye që policia speciale e Kosovës të qëndroi aty, unë e di që për ta nuk është e lehtë, unë iu jam mirënjohës për punën që po e bëjnë. Kjo do të duhej të përfundonte sa më shpejt. Ne përshëndesim gjithë ndihmën që KFOR dhe EULEX po na japin në këto momente. Dua të theksoj që Policia e Kosovës është plotësisht e aftë që të siguroi zbatimin e ligjit”, tha ai.