Sveçla: Pronari i barnatores që ishte cak i kontrollit është shqiptar

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media ka deklaruar se shqiptar është pronari  i barnatores në Mitrovicë të Veriut, ku ka ndodhur sulmi dhe pengimi i zyrtarit doganor dhe policor gjatë aksionit kundër kontrabandimit të mallrave.

Sveçla tha se ky aksion nuk ka qenë kundër asnjë nacionaliteti, sepse siç theksoi ai, shumica e të arrestuarve janë shqiptar.

“Ky operacion nuk është i drejtuar kundër asnjë nacionaliteti, por kundër kriminelëve që kanë kontrabanduar mallra. Prokurori i rastit është serbe, gjykatësi i procedurës paraprake është serb, pjesëtarët e reagimit të shpejtë janë shumica serbë. Shumica e të arrestuarve janë shqiptarë. Shumica e të kërkuarve janë shqiptarë. Pronari i barnatores ku ka pasur kontrabandë të niveleve të larta, ku hetuesit doganorë dhe policë janë sulmuar, është shqiptar, i cili është në kërkim. Tash nuk mundet as Vuçiq e askush tjetër ta mbrojë Besim Zeqirin nga ligji i Republikës së Kosovës”, tha ai.

Disa policë kanë kërkuar ndihmë mjekësore pasi kanë marrë lëndime nga shpërthimet e granatave që janë hedhur gjatë aksionit të ndërmarrë nga Policia kundër kontrabandës në veri të Kosovës.

Cak i kontrollimit nga Policia kanë qenë disa depo të barnave dhe barnatore në veri të vendit të cilat udhëhiqen nga njerëzit e fuqishëm të kontrabandës në veri.