Foto: Xhelal Sveçla, Facebook

Sveçla në Bruksel, kërkon liberalizimin e vizave për Kosovën

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në kuadër të një vizite në Bruksel ka zhvilluar takime me përfaqësues të ndryshëm në kuadër të Komisionit Evropian ku ka kërkuar liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Sveçla ka kërkuar që Kosova të trajtohet e barabartë me vendet tjera të rajonit.

“Ritheksova nevojën urgjente që qytetarëve të Kosovës të iu mundësohet liberalizimi i vizave dhe Kosova të trajtohet e barabartë me vendet tjera të rajonit”, ka thënë ai.

Përmes një postimi në “Facebook”, Sveçla ka njoftuar se përfaqësuesi i DG HOME ka thënë se Komisioni Evropian mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Z.Johannes Luchner nga DG HOME, rikonfirmoi se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret dhe KE mbështet plotësisht liberalizimin e vizave për Kosovën. Gjithashtu diskutuam dhe për projekte konkrete për mbështetje të MPB-së, Policisë së Kosovës në luftimin e krimit ndërkufitar”, thuhet në njoftimin e Sveçlës.

Tutje thuhet se gjatë takimeve është biseduar edhe për nevojën e bashkëpunimit të ngushtë për siguri dhe stabilitet në rajon dhe më gjerë.