Suspendohet punëtori i RTK-së, dyshohet se u përfshi në skandalin e rrëmbimit në Gjilan

Një punëtor i Radio Televizionit të Kosovës, me inicialet F. S., gjatë ditës së djeshme është arrestuar së bashku me pesë persona të tjerë, dy nga ta zyrtarë policor, nën dyshimin se kanë rrëmbyer dy shtetas të Maqedonisë dhe nga ta kanë marrë para.

I njëjti siç mëson KALLXO.com në Radio Televizionin Publik të Kosovës – RTK, punon si teknik zërimi, ndërsa i njëjti me vendim të drejtorit është suspenduar nga detyra deri në përfundim të rastit.

Ngadhnjim Kastrati, drejtor i përgjithshëm i RTK-së, është deklaruar për KALLXO.com në lidhje me involvimin e punëtorit të RTK-së në rastin e rrëmbimit të shtetasve maqedonas, ndërsa tha se i njëjti sot është suspenduar nga puna.

“E kam lexuar në media, janë ndërmarrë masa dhe është suspenduar nga puna dhe tash kjo punë mbetet të trajtohet nga organet e drejtësisë. Unë besoj që secili punëtor kur punësohet i kërkohen dokumentet e caktuara, po tash RTK edhe ju e dini që i ka gati 1 mijë punëtorë dhe nuk u kërkohen çdo 1 muaj në lidhje me të kaluarën. Nuk e di saktë çka ka punu, diçka në teknikë, por nuk e di saktë”, tha ai.

KALLXO.com raportoi për dosjen e prokurorisë në lidhje me rrëmbimin që ndodhi mes datave 16 dhe 17 shkurt të këtij viti, ku të përfshirë ishin pesë persona të dyshuar.

Prokuroria Themelore në Gjilan në detaje kishte përshkruar rolin e gjithësecilit të dyshuar të involvuar në këtë rast.

“Nga data 16.02.2021 nga ora 22:00 gjerë më datë 17.02.2021 në ora 14:00, të dëmtuarit nën presion / kërcenim të armëve nga të pandehurit i kanë zhveshur të dëmtuarit, prangosur me pranga të plastikës duke ua plasuar videon familjarëve të të dëmtuarve, bashkërisht në koordinim me të pandehurit, rolet dhe detyrat e tyre në raport me të pandehurën, gruan, se si të veprojë, josh të dëmtuarin me qëllim përfitimi material, ashtu që të pandehurit ua kanë marrë të dëmtuarve portofolat, ku njërit prej të dëmtuarve ia kanë marrë 100 euro, 100 franga dhe 4,000 dinarë të Rep. së Maqedonisë”, thuhet në kërkesën për paraburgim ndaj pesë të pandehurve.

Njërit prej të rrëmbyerve sipas prokurorisë i janë marrë 40 euro, derisa i njëjti ka qenë i prangosur, nën kërcënim të armës.

“Të njëjtit gjatë kësaj periudhe kohore kanë qenë të mbyllur, duart e prangosura, të kërcënuar, duke i goditur me shuplaka dhe kondak të revoles në kokë, të dëmtuarit kanë përjetuar shqetësim dhe ankth dhe bërë jetën të pa sigurt nën kërcenim të armëve, ashtu që pas intervenimit të zyrtarëve policor në Gjilan, të pandehurit identifikohen dhe arrestohen”, thuhet tutje në kërkesën për paraburgim të siguruar nga KALLXO.com.

Dosja e Prokurorisë përshkruan se katër nga pesë të dyshuarit e arrestuar për rrëmbimin e shtetasve maqedonas, kanë edhe vepra të tjera kriminale në të kaluarën.

Katër nga të arrestuarit për rrëmbimin e shtetasve maqedonas me të kaluar kriminale