Suspendohet polici për rrahjen e avokates në Pejë

Inspektoari Policor i Kosovës ka suspenduar nga puna pjesëtarin e Policisë së Kosovës, Flamur Rexhaj.

Arsye për këtë suspendim, sipas IPK-së, është sulmi që polici dyshohet t’i ketë bërë të dashurës së tij, avokates Aurora Mulhaxha.

Sipas komunikatës të lëshuar nga Inspektorati Policor i Kosovës rezulton se zyrtari policor Flamur Rexhaj është arrestuar nga Policia për veprat lëndim i lehtë trupor dhe kanosje.

Me urdhër të Prokurorit, ai është dërguar në ndalim prej 48 orësh, thuhet në komunikatën e IPK-së.

Ndërsa avokatja Aurora Mulhaxha, ka rrëfyer për KALLXO.com incidentin e datës 20 korrik.

Nga rrëfimi del se rrahja ndaj avokates Mulhaxha është bërë në malin e quajtur ‘Maja e Zezë’ në Pejë.

Mulhaxha tha se “incidenti që ka ndodh nuk ka të bëjë më lidhjen tonë, por me diçka krejt tjetër”.

Mulhaxha mohoi që polici Rexhaj ta ketë penguar atë në ndonjë lëndë.

“Nuk është e vërtetë që ai mua më ka penguar në lëndë por është diçka tjetër që është ne hetime që  unë nuk muj mu deklaru”, tha ajo.

E pyetur nga KALLXO.com se çfarë lëndimesh ka marrë Mulhaxha tha se “kam lëndime koxha shumë  por ende jam duke e pritur raportin e mjekut”.

“Kam lëndime në duar, qafë, kokë dhe çarje në buzë”, shtoi ajo.

“Më ka goditur me duar, më ka goditur me boksa”, thotë ajo.

Po ashtu Mulhaxha tha se kishte kërkuar mbrojtje nga shteti dhe më pas kishte kuptuar se i dyshuari është në ndalim 48 orë.