Sulmi me armë kundër Policisë në Ferizaj, të dyshuarit ende nuk janë kapur

Jetët e zyrtarëve policorë në Ferizaj u rrezikuan sot në mëngjes pasi në drejtim të tyre u gjuajt me armë zjarri. 

E gjithë ngjarja ndodhi rreth orës 4:50 gjatë një tentim grabitjeje të armatosur te pika e karburantit të “Hib Petrol” në magjistralen Ferizaj-Prishtinë. 

Kanun Veseli, zëdhënës i Policisë së Rajonit të Ferizajt, tregoi se të dyshuarit kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të patrullës së Policisë.

Sipas Veselit, kolegët e tij nuk pësuan lëndime por vetura zyrtare u dëmtua.

Ndonëse policët i ishin përgjigjur me zjarr të dyshuarve, ata arritën të largohen nga vendi i ngjarjes me një veturë. 

Dyshimet e para thonë se në këtë veturë që iku në drejtim të panjohur dyshohet se ishin 4 persona me armë të gjata. 

Siç tha Veseli për KALLXO.com, të dyshuarit janë ende në kërkim, e se është duke u punuar në drejtim të identifikimit të tyre. 

Në një njoftim zyrtar të Policisë, rasti është iniciuar si vrasje e mbetur në tentativë, grabitje e armatosur e mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje. 

Në vendin e ngjarjes, siç njoftohet, u dërguan edhe ekipe të tjera të Policisë, që i dolën në ndihmë patrullës që u sulmua, e më pas në vend të ngjarjes dolën edhe hetuesit e krimteknikët rajonalë. 

Po ashtu, në vendin e ngjarjes dolën edhe Njësia e Deminimit e Policisë së Kosovës.

Hetimet e para të hetuesëve rajonalë kanë mësuar se cak i personave të maskuar ishin 3 bankomatet që gjenden skaj rrugës magjistrale në parkingun e qendrës tregtare  “Super Viva” në Ferizaj.

Siç njoftohet, personat e maskuar fillimisht me një mjet plasës kanë shpërthyer njërin bankomat, ndërsa kanë dëmtuar edhe dy bankomatët e tjerë. 

Nga të dyshuarit në këtë rast janë përdorur mjet eksplozivi në bankomat dhe pushkë automatike në drejtim të policëve.

VIDEO – Momenti kur grabitësit sulmojnë me armë zjarri Policinë e Kosovës