Pamje Ekskluzive: Biznesi në Drenas sulmohet me Molotov e armë

Në emisionin “Kallxo Përnime” janë  shfaqur pamjet e hedhjes së shisheve të benzinës apo Molotovëve në pronën komunale, ku kompania “IP-KOS” është duke e ndërtuar një pikë karburanti pasi që pronën komunale e ka marrë në shfrytëzim nga Komuna e Drenasit.

Së paku 3 herë me radhë në atë pronë ishin gjuajtur koktej Molotovi gjatë një nate.

Përveç hedhjes se Molotovëve dikush aty kishte gjuajtur edhe me armë zjarri.

Shenjat kanë mbetur mbi rezervuarin e derivateve të kompanisë.

Emisioni kishte provuar të marrë përgjigje nga Policia se a ka të dyshuar lidhur me këtë rast por ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Kompania pretendon se gjatë një nate aty u gjuajtën 5 shishe me benzinë dhe herën e pestë kur është gjuajtur prezent kanë qenë edhe zyrtarët policorë.

“Tash aty atë ditë janë hedhur 5 shishe me benzinë, herën e fundit kur kanë gjuajtë, kanë qenë aty edhe Policia”, ka thënë Burim Leci, drejtori i kësaj kompanie.

Përveç gjuajtjeve me armë, hedhjes së Molotovit, për ngjarjet e fshatit Arllat u suspenduan nga puna nënkoloneli  i Policisë Valdet Bujupi e po ashtu u suspenduan edhe 2 zyrtarë policorë.

Inspektorati Policor i Kosovës më 17 qershor të këtij viti kishte njoftuar për suspendimin e këtyre 3 zyrtarëve policorë.

“Hetuesit  e IPK-së janë duke hetuar një rast ku të dyshuar janë tre zyrtarë policorë (një zyrtar policor me gradën e nënkolonelit, një rreshter policor dhe një zyrtar policor) me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës dhe autoritetit zyrtar”. Bazuar në hetimet e deritashme ekziston dyshimi se  zyrtarët policorë  nuk kanë raportuar prova dhe fakte për të cilat ata kanë rënë në dijeni gjatë kryerjes së detyrës zyrtare lidhur me një punishte në Drenas”, thuhet në njoftimin e IPK-së.