VIDEO: Banorët e Arllatit kundërshtojnë ndërtimin e pompës së derivateve afër shtëpive të tyre

Banorë të lagjes Bujupi të fshatit Arllat po kundërshtojnë ngritjen e një pompe derivatesh në një pronë komunale, të cilën Komuna e Drenasit ia dha një kompanie në shfrytëzim për 99 vite.

Rreziku nga afërsia me pompën e derivateve sipas banorit Sami Bujupi do të shkaktojë largimin e banorëve nga kjo zonë.

“Unë nuk mendoj me i leju fëmijët e mi këtu me banu, nuk ju maroj shtëpi këtu. Ndoshta dal me qera me jetu, këtu nuk kam siguri me i lanë fëmijët me banu. Një eksplodim me ndodhë, fëmijtë s’i çojë në ajër. Kena shpëtu në luftë, e tash mas lufte me ardhë shqiptarët tonë, kryetari i Komunës sonë me biznesmena me ardh me na rreziku të ardhmen e fëmijëve. Kam me ju thanë edhe dy vllaznive: lëshone krejt, lene, edhe këta kojshitë kanë me lëshu se këtu nuk jetohet”, u shpreh Bujupi.

Ndërkaq, administratori i fshatit, Shumzim Bujupi, thotë se para dy muajsh kur është bërë shpallja për ofertim kanë dërguar edhe një peticion me 106 nënshkrime në institucionet komunale, por që sipas tij, nuk kanë marrë përgjigje.

“Nuk jemi kundër kompanisë që ka fitu, nuk jemi kundër asnjë institucioni, as Komunës. Na jemi kundër vetëm pompës që po vendoset në këtë vend. Ja shikojeni shtëpinë, i ka 15 metra, rezervuarët duhet me u qit qaty, këto shtëpitë tjera nuk i kanë as dhjetë metra, këtu vendoset një pompë. Nëse çdokush, pa marrë parasysh kush, kryeministri, ministrja a kryetari i sjellin fëmijët qitu me jetu dhe lejojnë të vendoset pompa të shtëpitë e tyre, edhe na jemi të pajtimit”, u shpreh ai.

Ai paralajmëroi se banorët do të vazhdojnë protestat me këmbëngulje nëse punimet nisin pa një dëgjim publik.

Sipas Komunës që udhëhiqet nga Ramiz Lladrovci nuk ka ndalesë ligjore për ndërtim të pompës në atë zonë.

“Kompania IP Kos nga komisioni vlerësues është shpallur ekonomikisht më e favorshme, rrjedhimisht është shpallur fitues për shfrytëzimin e kësaj parcele për 99 vite.  Rekomandimi i komisionit,  respektivisht vendimi i kuvendit të Drenasit për dhënien në shfrytëzim afatgjatë për këtë parcelë e ka marrë edhe vlerësimin e ligjshmërisë nga ana e Ministrisë së Pushtetit Lokal”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Drenasit.

KALLXO.com ka dërguar dy herë pyetje në drejtim të kompanisë në fjalë por që të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.