A selective focus shot of a thermometer in the beach sand with a blurred background

Studimi: Valët e të nxehtit mund të shkaktojnë ndikimin më të dëmshëm në vitet para nesh

Me ndryshimin e klimës e cila po shkakton valë rekord të nxehti në të gjithë globin, shkencëtarët e kanë publikuar një studim përmes të cilit po i identifikojnë zonat e botës ku valët e të nxehtit ka të ngjarë të shkaktojnë ndikimin më të madh.

Hulumtimi i tyre, i botuar të martën në revistën Nature Communications, zbuloi se pjesë të Rusisë, Amerikës Qendrore, Evropës Qendrore, Kinës dhe Australisë janë ndër më të rrezikuara. Ata e identifikuan gjithashtu Afganistanin, Papua Guinenë e Re dhe Argjentinën veriperëndimore si të prekshme nga kjo vallë e nxehtësisë së madhe.

Jo të gjitha këto rajone do të jenë domosdoshmërisht më të nxehtat, thotë studimi i lartcekur, megithatë disa do të vuajnë nga mungesa e përgatitjes sepse nuk janë mësuar me periudha të qëndrueshme të nxehtësisë së lartë. Vendet që nuk janë të njohura me valët e të nxehtit nuk e kanë të gjitha infrastrukturën në vend për t’u përballuar temperaturat ekstreme. Autori kryesor Dr. Vikki Thompson bëri thirrje për përgatitje më të mirë pasi valët e të nxehtit janë bërë më të zakonshme.

“Ne identifikojmë rajone që mund të kenë qenë me fat deri më tani – disa nga këto rajone kanë popullsi në rritje të shpejtë, disa janë vende në zhvillim, disa tashmë janë shumë të nxehta”, thotë Thompson në një deklaratë për media. “Duhet të pyesim nëse planet e veprimit për ngrohjen për këto zona janë të mjaftueshme”.

Studiuesit, të cilët shikuan të dhëna për temperaturën për më shumë se 60 vitet e fundit, thanë se zonat pa histori të nxehtësisë ekstreme janë më të rrezikuarat.

“Këto rajone nuk kanë pasur nevojë të përshtaten me ngjarje të tilla dhe kështu mund të jenë më të ndjeshme ndaj ndikimeve të nxehtësisë ekstreme”, shkruajnë autorët e studimit. “Statistikisht, këto rajone gjithashtu kanë më shumë gjasa të përjetojnë ekstreme rekord sesa zona të tjera”.

Autorët e studimit fillimisht i shikuan 237 rajone, por disa u përjashtuan nga raporti përfundimtar për shkak të kufijve politikë. Rajone të tjera ku produktet e parashikuara nuk ishin të qëndrueshme u lanë gjithashtu jashtë, duke i lënë shkencëtarët me 136 rajone.

Ata gjetën se “ekstreme statistikisht të pabesueshme” ndodhën në gati një të tretën e rajoneve nga viti 1959 deri në 2021, “pa asnjë model të dukshëm hapësinor ose kohor”.

“Duket se ekstreme të tilla mund të ndodhin kudo dhe në çdo kohë”, thanë studiuesit.

Në fund të vitit të kaluar, agjencia e OKB-së për fëmijë, UNICEF, paralajmëroi se mbi dy miliardë fëmijë në mbarë botën do të përballen me valë të shpeshta të të nxehtit deri në vitin 2050./CBSNews

Përgatiti: Nuhi Shala