Stimulues seksual sekuestrohen në bunkerët e barnatoreve në Prishtinë

Dogana e Kosovës ka zhvilluar një aksion në Prishtinë, nën dyshimin për kontrabandë me barna.

Në mesin e barnave të konfiskuara në operacionin e sotëm ka edhe barna të llojit “kamagra” të cilat përdoren si stimulues seksual.

Aksioni i zhvilluar sot nga Dogana ka pasur për cak dy barnatore, njëra në lagjen “Kodra e Trimave” dhe tjetra në “Bregun e Diellit”.

Sipas një videoje që e ka siguruar KALLXO.com, barnat ishin kamufluar në një hapësirë, e cila në pamje të parë duket thjesht si varëse e rrobave.

Tutje, në video shihet kur zyrtari i Doganës e heq varësen e rrobave dhe nga aty hapet një derë, e vogël dhe e ngushtë, e cila të dërgon në hapësirën ku ishin të sistemuara barnat e kontrabanduara.

Në një hapësirë të vogël që të jep përshtypjen se është një ‘bunker’ shihen qindra paketime të barnave, që sipas burimeve të KALLXO.com, dyshohen se janë kontrabanduar.

Momentalisht, nuk ka ndonjë njoftim zyrtar nga Dogana apo Policia, se a ka të arrestuar dhe sa është sasia e barnave të konfiskuara.

Pamje – Kamuflimi i rrallë i bunkerit me barna ilegale në Prishtinë