Pamje – Kamuflimi i rrallë i bunkerit me barna ilegale në Prishtinë

Një aksion gjatë ditës së sotme i Doganës së Kosovës për luftimin e kontrabandimit të barnave, ka zbuluar në Prishtinë një ‘kamuflim të përsosur’ të vendit ku fshiheshin barnat.

Sipas një video që e ka siguruar KALLXO.com, barnat ishin kamufluar në një hapësirë, e cila në pamje të parë duket thjeshtë si varëse e rrobave.

Tutje, në video shihet kur zyrtari i Doganës e heq varësen e rrobave dhe nga aty hapet një derë, e vogël dhe e ngushtë, e cila të dërgon në hapësirën ku ishin të sistemuara barnat e kontrabanduara.

Në një hapësirë të vogël që të jep përshtypjen se është një ‘bunker’ shihen qindra paketime të barnave, që sipas burimeve të KALLXO.com, dyshohen se janë kontrabanduar.

Momentalisht, nuk ka ndonjë njoftim zyrtar nga Dogana apo Policia, se a ka të arrestuar dhe sa është sasia e barnave të konfiskuara.