Spitali Isa Grezda - Gjakovë - Foto arkiv: Kallxo.com

Spitali i Gjakovës ka 7 muaj me mungesë të shiringave për të bërë CT-në

Një qytetar është ankuar se tani e 7 muaj nuk ka material për të bërë CT me kontrast në Spitalin e Përgjithshëm të Gjakovës “Isa Grezda”.

Sipas tij, pacientët duhet të presin 4 muaj në QKUK në Prishtinë për ta bërë një termin.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në lidhje me këtë çështje në Shërbimin Spitalor, Klinik të Kosovës (SHSKUK).

Sipas SHSKUK së shpejti pritet të bëhet furnizimi me materialin e nevojshëm në Spitalin e Gjakovës.

“Bazuar në informatat nga menaxhmenti i Spitalit të Gjakovës, është inicuar procedura e prokurimit për blerje të materialit të nevojshëm dhe së shpejti pritet të bëhet furnizimi”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Ndërsa Ardian Jusufi U.D. drejtor ekzekutiv i Spitalit të Përgjithshëm të Gjakovës ka dërguar vendimin ku tregon që është kërkuar furnizimi me shiringa për CT-në.