Spanja refuzon t'i bashkohet Bordit të Paqes
Spanja nuk do të marrë pjesë në iniciativën “Bordi i Paqes”, të nisur nga presidenti amerikan, Donald Trump, për trajtimin e konflikteve globale, duke thënë se ky vendim përkon me besimin e saj në multilateralizëm dhe në sistemin e Kombeve të Bashkuara, ka raportuar Reuters.
“E vlerësojmë ftesën, por e refuzojmë,” u ka deklaruar gazetarëve kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez vonë të enjten (22.01.2026), pas një samiti të BE-së në Bruksel.
Uashingtoni thotë se ky organ do të ndihmojë ndërmjetësimin dhe monitorimin e armëpushimeve, organizimin e masave të sigurisë dhe koordinimin e rindërtimit në zonat që dalin nga lufta. Koncepti buron nga plani i paqes i Trumpit për Gazën.
Në ceremoninë e inaugurimit të bordit, të mbajtur të enjten (22.01.2026) në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, mungonin aleatë tradicionalë të SHBA-së, si Kanadaja, Britania dhe të gjithë anëtarët e Bashkimit Europian, përveç Hungarisë dhe Bullgarisë.
Sanchez përmendi përputhshmërinë me angazhimin e Madridit ndaj së drejtës ndërkombëtare, OKB-së dhe multilateralizmit si arsyet kryesore për refuzimin e pjesëmarrjes.
Ai ka shtuar gjithashtu se Bordi i Paqes nuk përfshin Autoritetin Palestinez.
Izraeli i është bashkuar bordit, së bashku me vende të Lindjes së Mesme si Katari, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com