Shkup: Foto: KALLXO.com

Sot mblidhen liderët e Ballkanit në Shkup

Liderë rajonalë të Ballkanit Perëndimor dhe zyrtarë tjerë të lartë do të mblidhen sot në Shkup, për të marrë pjesë në punimet e konferencës së Bashkimit Evropian për rritje ekonomike të rajonit.

Bëhet fjalë për konferencën “Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor dhe Integrimi më i Shpejtë në BE”.

Nikoqir i konferencës do të jetë kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të marrë pjesë në konferencë, ashtu sikurse kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Malit të Zi, Millojko Spajiq dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuiq.

Në takim do të ketë edhe përfaqësues prej Bosnje-Hercegovinës.

Përveç tyre, Shtetet e Bashkuara do të përfaqësohen prej Ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien.

Në mesin e zyrtarëve të BE-së do të jetë drejtori i Komisionit Evropian për Fqinjësi, Gert Jan Kopman dhe zyrtarë tjerë.

Plani i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura, dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me këto vende.

Vlera e ndarë nga BE-ja për këtë plan, në periudhën 2024-2027, është 6 miliardë euro.

Pagesat është thënë se do të ekzekutohen vetëm pas përmbushjes së reformave të diskutuara./REL