Arkiv

Sot mbahet faza e parë e Testit të Arritshmërisë

Nxënësit e klasave të 9-ta të Arsimit Parauniversitar sot pritet t’i nënshtrohen testit të Arritshmërisë.

Sipas njoftimeve të Ministrisë së Arsimit në Kosovë, testi i Arritshmërisë në vitin 2022 do të organizohet në dy faza: Më datë 04 qershor 2022, testi mbahet në lëndët gjuhë shqipe, gjuhë angleze, histori dhe në lëndën e gjeografisë kurse më datë 14 qershor 2022, testi do të mbahet në lëndët matematikë, informatikë, fizikë, kimi dhe në lëndën e biologjisë.

Testi i Arritshmërisë (TA) është vlerësim i arritjeve, njohurive, shkathtësive dhe aftësive të nxënësve, të cilat nxënësit i kanë fituar gjatë arsimimit të tyre në fund të Nivelit II (klasat 6-9) të Arsimit Parauniversitar në përputhje me Kurrikulën shtetërore të Republikës së Kosovës.

Ky test ka karakter orientues për nxënësit që vazhdojnë shkollimin e mesëm të lartë dhe ju shërben autoriteteve qendrore dhe komunale për të identifikuar nivelin e arritshmërisë dhe rezultatet e nxënësve në fund të këtij niveli arsimor.