QKMF në Skenderaj Foto: Komuna e Skenderajt

Skenderaj, Sindikata thotë se u sulmuan fizikisht komplet ekipi i Urgjencës në QKMF

Kryesia e Sindikatës së QKMF-së në Skenderaj dhe Federata e Sindikatave e Shëndetësisë, kanë njoftuar se dje në ora 03:45 në repartin e Urgjencës është sulmuar fizikisht komplet ekipi i Urgjencës, nga përcjellësi i një pacienti.

Sindikata e QKMF-së në Skenderaj ka njoftuar se njëri nga punëtorët ka marrë edhe trajtim në Spitalin e Mitrovicës.

“Me të pranur informatën Kryesia e Sindikatës pranë kësaj njësie ka reaguar dhe përkrahur  punëtorët (anëtarët) e sulmuar, duke e dënuar këtë rast dhe duke  shprehur shqetësim lidhur me sulmin e lartcekur që iu është bërë stafit mjekësor”, thuhet në reagimin e tyre.

Sipas Sindikatës, veprime të tilla ndaj profesionistëve shëndetësor janë të dënueshme dhe të patolerueshme.

“Dhe përderisa një akt i tillë i ulët siç është dhuna fizike kryhet në ambientin e punës, e sidomos në këtë kohë Pandemie kjo bënë që të vihet në pikëpyetje jeta dhe siguria në vendin e punës”, thuhet më tej.

Kryesia e sindikatës pranë QKMF- Skenderaj fton organet e rendit dhe të drejtësisë të veprojnë konfrom legjislacionit në fuqi që ndaj kryerësit të kësaj vepre të shëmtuar të shqiptohet dënimi meritor.

“Gjithashtu kryesia e sindikatës dhe anëtarësia kërkuan edhe nga menaxhmenti i QKMF-Skenderaj që të ndërmerret ndonjë veprim për mbrojtjen e tyre fizike. Shpresojmë që rastet e tilla mos të përsëriten sepse kësi ngjarje të tilla e zbehin dinjitetin e punëtorit shëndetësor”, thuhet më tej.

Edhe Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës e ka dënuar rënd dhunën e ushtruar ndaj punëtorëve shëndetësorë dhe ka kërkuar nga instancat më të larta shtetërore që të merren me rastin në fjalë.

“Duke ditur që raste të tilla të turpshme  janë bërë të shpeshta të cilat po e fyejnë rënd identitetin dhe imazhin  e punëtorëve shëndetësorë në vend dhe i fton organet e rendit dhe të drejtësisë të veprojnë konfrom legjislacionit në fuqi që ndaj kryerësve të kësaj vepre të shëmtuar të shqiptohet dënimi meritor”, thuhet në reagim.

Në raportin 24 orësh të Policisë nuk është dhënë ndonjë informatë për këtë incident.