Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Situata e rënduar me COVID - Reagon kryetari i PDK-së

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka shprehur ngushëllime për familjet e 36 qytetarëve që sot humbën jetën nga virusi covid-19, ndërsa i ka bërë thirrje Qeverisë që kësaj gjendjeje të vështirë t’i përgjigjet menjëherë me një qasje krejtësisht tjetër, me një plan konkret, me seriozitet dhe angazhim maksimal, në mënyrë që të ndalet ky hov i kobshëm i pandemisë.

“Me ditë të tëra, po na ndalë frymën kjo gjendje tmerruese, me shifra alarmante, ku humbja e jetës së qytetarëve nga virusi tashmë, për fat të keq, nga Qeveria po trajtohet vetëm si numër”, ka thënë Krasniqi.

Lideri i opozitës kosovare ka thënë se nuk ka betejë politike me pandeminë, por siç ka thënë ai, është e papranueshme që të vazhdojë edhe më tej kjo papërgjegjësi.

 

Deklarata e plotë e kreut të PDK-së, Memli Krasniqi:

Një tjetër ditë tragjike për Kosovën. Dhimbja nga humbjet e jetëve në betejë me Covid-19 sot u rëndua edhe më 36 humbje jetësh të tjera.

Me ditë të tëra, po na ndalë frymën kjo gjendje tmerruese, me shifra alarmante, ku humbja e jetës së qytetarëve nga virusi tashmë, për fat të keq, nga Qeveria po trajtohet vetëm si numër.

Ngushëllime të gjitha familjeve që mbetën pa më të dashurit e tyre. Është vështirë të gjenden fjalë për t’ua lehtësuar dhimbjen e madhe që kanë për këto humbje tragjike.

Nuk kemi betejë politike për pandeminë. Por, kësaj gjendjeje tejet të vështirë është e domosdoshme që Qeveria t’i përgjigjet menjëherë me një qasje krejtësisht tjetër, me një plan konkret, me seriozitet dhe angazhim maksimal, në mënyrë që të ndalet ky hov i kobshëm i pandemisë. Është e papranueshme që të vazhdojë edhe më tej kjo papërgjegjësi.