Foto: BQK

Sinjalizuesi kërkon nga Qeveria dhe deputetët të kthejnë vëmendjen te BQK-ja, pretendon skandale të shumta

Një sinjalizues ka dërguar një shkresë në Agjencinë Kundër Korrupsion (AKK) me informacione, të cilat, sipas tij, dëshmojnë keqpërdorime të ndryshme dhe punësimet në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK).

“Ju drejtohemi me këtë shkresë për të sjellë në vëmendjen tuaj abuzimet dhe shkeljet ligjore që janë bëre dhe jane duke u bëre ne Banken Qendrore te Republikes se Kosoves”, ka shkruar sinjalizuesi.

Nga AKK sinjalizuesi kërkon të hetohen këto pretendime për abuzime dhe “të parandaloni vazhdimin e tyre”.

Sinjalizuesi në dokument (të cilin e ka siguruar KALLXO.com) pretendon se mbi 70 persona përmes lidhjeve familjare janë punësuar në BQK gjatë pesë viteve të fundit.

Ai ka treguar një listë të personave që janë punësuar dhe lidhjet e të punësuarve me zyrtarë të institucioneve, të partive, të drejtuesve të BQK-së dhe personalitete të tjera.

Gjithashtu, sinjalizuesi pretendon se disa zyrtarë brenda BQK-së janë shkarkuar e suspenduar kur nuk kanë zbatuar “urdhrat” nga eprorët.

Në letrën 11-faqëshe të sinjalizuesit përfshihen edhe pretendimet për abuzime me tenderë ndër vite, revokimet dhe dhënia e licencave të institucioneve financiare, marrëveshjet me kompanitë e sigurimeve etj.