Drejtori i Klinikës Infektive, Arben Vishaj

Pas raportimit të KALLXO.com, drejtori i Infektivës në ShSKUK lë pozitën në klinikë private

Agjencia Kundër Korrupsionit ka detyruar drejtorin e Klinikës Infektive në ShSKUK, Arben Vishaj, të lërë pozitën e tij si person i autorizuar në klinikën e tij private “Infeksioni”.

Ky informacion i ishte dërguar AKK-së nga redaksia e KALLXO.com pas hulumtimit.

Në vendimin e Agjencisë Kundër Korrupsion thuhet se Arben Vishaj, pas informacioneve, është ballafaquar me faktet, të cilat më pas e kanë bërë të tërhiqet nga pozita e tij në klinikën private.

“Agjencia ka pranuar informacionin zyrtar nga z. Arben Vishaj, drejtor i Klinikës Infektive në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, me të cilën na ka njoftuar se ka ndërmarr veprimet e nevojshme dhe ka hequr dorë nga të qenurit person i autorizuar në biznesin privat me emër N.SH “Infeksioni”, thuhet në vendimin e AKK-së.

Sipas Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit, zyrtari i lartë nuk mund të jetë menaxher, përfaqësues i autorizuar ose anëtar i ndonjë organi menaxhues apo mbikëqyrës i personave juridikë privatë fitimprurës sipas ligjit përkatës për shoqëritë tregtare dhe organizatat joqeveritare.

Sipas Agjencisë Kundër Korrupsion, veprimet e marra nga drejtori i Klinikës Infektive do të shmangin konfliktin e interesit.

Arben Vishaj ishte zgjedhur drejtor i Klinikës Infektive në muajin dhjetor të vitit 2021.

Nëntë klinika në QKUK bëhen me drejtorë të rinj