Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ligji i pagave shkakton tollovi në teatrot e qyteteve të Kosovës

Ligji i pagave për sektorin publik në Republikën e Kosovës ka lënë një paqartësi të madhe lidhur me koeficientet dhe pagat për punëtorët e teatrove publike të qyteteve të Kosovës.

Në Kosovë funksionojnë 8 teatro publike (profesionale): Teatri i Qytetit të Prizrenit, “Bekim Fehmiu”; Teatri i Qytetit të Ferizajt “Adriana Abdullahu”; Teatri i Qytetit të Gjakovës,  “Hadi Shehu”; Teatri i Qytetit të Gjilanit; Teatri i Qytetit të Mitrovicës, “Muharrem Qena”; Teatri i Qytetit të Pejës, “Jusuf Gërvalla”; Teatri i Qytetit të Podujevës “Avdush Hasani” dhe Teatri i Qytetit të Prishtinës, “Dodona”. Sipas ligjit për teatrot, teatrot publike të qyteteve janë kompetencë e komunave ku veprojnë. Shumë prej këtyre teatrove ende nuk i kanë bërë kategorizimin e aktorëve. Paqartësi kanë edhe lidhur me koeficientet (dhe paga) për punëtorët teknik të këtyre teatrove, veçmas statutit të tyre.

Drejtues të këtyre institucioneve kanë paqartësi se si do të rangohen pozitat në teatrot e qyteteve, sipas ligjit për pagat. Ata nuk e dinë se sa do të jenë rrogat e punëtorëve të teatrove që drejtojnë.

Drejtorët e teatrove të qyteteve shprehin shqetësimin se mund të ketë diskriminim në pagat e punëtorëve të teatrove të qyteteve në raport me punëtorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës (TKK). Ata presin ndihmën e institucioneve, ndërsa për këtë çështje do të ketë edhe një takim të Asociacionit të Teatrove Publike të Qyteteve të Kosovë (ATPQK).

Fatmir Hyseni, drejtor i Teatrit “Adriana Abdullahu” (Adriana) të Ferizaj tha për KALLXO.com se ligji për pagat në sektorin publik, përkatësisht tabela nr.12 e këtij ligji nuk jep sqarime lidhur me koeficientet për punëtorët e teatrove të  qyteteve. Ai dyshon se mund të ketë diskriminin të punëtoreve të Teatrit “Adriana” në paga në raport me ata të TKK-së, veçmas tek pozitat drejtuese.

“Nëse aktorët (shtojca 12 e ligjit të pagave) janë të trajtuar njëjtë sikurse aktorët e TKK-së, nuk e di se pse drejtori dhe udhëheqësi artistik nuk trajtohen njëjtë. Nëse koeficienti do të dallon në proporcion 4 – koeficient, atëherë ky dallim shkel vet ligjin e pagave, neni 4 pika 1.4. Ka shumë gjëra që nuk janë të sqaruara dhe kemi mbetur pezull se çka do të bëhet më të punësuarit në teatrot e qyteteve, edhe pse duhet që MKRS, të dalë me sqarime të sakta dhe të na tregojë se cilën rrugë ta ndjekim”- ka thënë drejtori Hyseni.

Ai thotë se Teatri “Adriana” e ka të kryer kategorizimin e aktorëve, por problem mbetet stafi mbështetës dhe ai administrativ i këtij teatri, që sipas tij nuk janë të përfshirë në tabelen 12 të ligjit të pagave. Problem tjetër që përballen teatrot e qyteteve, sipas Hysenit është se kanë punëtorë me kontrata që nuk përputhen me punën që bëjnë.

Sabit Sheremeti, ushtrues i detyërs së drejtorit të Teatrit “Muharrem Qena’’ në Mitrovicë thotë se sipas shtojcës numër 12 të ligjit 08/L-196 për pagat në sektorin publik ka paqartësi lidhur me koeficientë që do të kenë drejtuesit e teatrove publike, drejtori dhe udhëheqësi artistik. Ai thotë se koeficientet për këto dy pozita ka mundësi të jenë më të vogla se ato në TKK, me koeficient, 9 përkatësisht 8.5.

“Aktorët do të kenë pagat konform kategorizimit të paraqitur në shtojcë (12), në klasën K6, K7, K8, pas kategorizimit të aktorëve, i cili do të bëhet së shpejti. Kategorizimi i aktorëve në teatrin ‘Muharrem Qena’ do të përfundojë javën e ardhshme. Çështja e stafi tekniko-artistik nuk është e definuar me saktësi dhe për këtë do të konsultohemi edhe me ministritë përkatëse dhe me ATPQK-në”- tha Sheremeti për KALLXO.com.

Ndërkaq, Elhame Kutllovci, drejtoreshë e Teatrin “Avdush Hasani’ në Podujevë tha për KALLXO.com se pagat (koeficientet) për punëtorët që ajo drejton duhet të bazohen në shtojcën 12 të ligjit te pagave.

“Natyrisht që koeficientet e drejtorëve dhe stafit artistik do të bazohen në shtojcën (tabelën) 12 të Ligjit të pagave, por ajo që vlen të theksohet që koeficientet e tanishëm do të ndryshojnë edhe për stafin artistik edhe për atë teknik, sepse kategorizimi i tyre do të bëhet në bazë të përvojës së tyre”-tha ajo. Sipas saj, stafin teknik ( i teatrit) në Ligjin për Paga do të hyjnë si staf mbështetës i teatrit.

KALLXO.com ka kërkuar përgjigje lidhur me këtë çështje edhe nga drejtues të teatrove tjetra të qyteteve dhe nga të gjitha komuna ku funksionojnë teatrot publike, por nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e artikullit.

Sipas Ligjit për paga në sektorin publik, krijuesit dhe performuesit e kulturës dhe artit janë të ranguar në tetë klasa (kategori), me koeficiente nga 13 deri në 6.5, për pozita të ndryshme.  Por, ky ligj nuk specifikon nëse koeficientet e paraqitur në 12 të këtij ligji janë të zbatueshme edhe për teatrot e qyteteve.