Sindikata e QKUK-së proteston për sulmet ndaj mjekëve në vendin e punës

Sindikata e Qendrës Klinike Universitare (QKUK) sot ka protestuar para Klinikës Emergjente të QKUK-së.

Xhemajl Selmani, kryetar i Sindikatës tha se arsyeja e kësaj proteste është irritimi ndaj sulmeve të mjekëve në vendet e tyre të punës.

Selmani ka thënë po ashtu se kërkesë e tyre është që të mbrohen ligjërisht, të trajtohen si shërbyes civil dhe sipas ligjit për shërbyesit publik edhe sulmuesit ndaj mjekëve të trajnohen me kodin penal të Republikës së Kosovës.

Selmani ka treguar po ashtu se janë katër raste të sulmeve të mjekëve, të cilat po trajtohen përmes Odës së Mjekëve, ndërsa protesta vjen pas sulmeve ndaj mjekëve në Prishtinë dhe Ferizaj, derisa ata po ofronin trajtim shëndetësor.

“Dua t’i referohem sindikatave të Odës së Mjekëve, sipas të cilave: 78,80% e punëtorëve kanë përjetuar dhunë fizike dhe verbale; 81.40& kanë përjetuar dhunë verbale ndërsa dhunë fizike  1.4%. të dy llojet e dhunës i kanë përjetuar 17.2%; Dhunë nga familjarët e pacientëve kanë përjetuar: 68.70%, ndërsa nga vetë pacienti 15,70%”, ka treguar Selmani.

Sindikata e mjekëve ka kërkuar mbrojtje ligjore dhe trajtim sikurse person i autorizuar zyrtar dhe sulmet ndaj mjekëve të trajtohen si vepër penale.

Gjithashtu kanë kërkuar miratimin e ligjeve për sigurime shëndetësore dhe ai për rrezikshmërinë. Po ashtu, të rriten investimet në shëndetësi dhe mirëqenie të punëtorëve shëndetësor.

E në këtë protestë është kërkuar edhe mos pezullimi i “Ligjit mbi Pagat”.