Sindikata e minatorëve të Trepçës letër të hapur Qeverisë për përmirësimin e kushteve të punës

Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës përmes një letre të hapur drejtuar Qeverisë së Kosovës ka shprehur pakënaqësitë e saj për kushtet e punëtorëve.

Bëhet fjalë për vështirësitë që siç thanë ata janë: marrja e pagave me vonesë (deri në tri rata), mungesa e numrit të punëtorëve, mungesa e mjeteve të përshtatshme, pamundësia e realizimit të të drejtave nga marrëdhënia e punës në mungesë të mjeteve financiare, mungesa e një sigurimi shëndetësor cilësor dhe borxhet e trashëguara ndër vite.

Ata bëjnë thirrje që Qeveria e Kosovës të bëjë investimet e nevojshme dhe të domosdoshme.

“Si sindikatë e punëtorëve të kësaj ndërrmarrje, duke marr shkas nga situata e rëndë financiare në të cilën ndodhet ndërmarrja, bëjmë thirrje që Qeveria e Republikës së Kosovës të tregoj përkushtimin maksimal ndaj kësaj ndërrmarrjeje dhe të bëjë investimet e nevojshme dhe të domosdoshme, me qëllimin e vetëm që ndërrmarrja Trepça SH.A. të funksionalizohet dhe të filloj punën me efikasitetin e duhur”- u shpreh Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës.

Sindikata konsideron se investimet e mirëfillta në ndërmarrjen Trepça SH.A. janë të domosdoshme dhe urgjente, e të cilat do të reflektojnë pozitivisht në drejtim të kthimit të besimit të vetë punëtorëve, rritjes ekonomike, krijimit të vendeve të punës dhe të ardhurave tatimore.

Letra e plotë e Sindikatës drejtuar Qeverisë në këtë LINK.

Në lidhje me këtë çështje, KALLXO.com ka dërguar pyetje në Qeverinë e Kosovës dhe është në pritje të përgjigjes.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për sfidat e minatorëve të Trepçës.

Vonesa e pagës për këtë muaj, minatorët e ‘Trepçës’ protestojnë me grevë