Ilustrim

Sindikata e Infermierëve kërkon të hetohet lirimi i 600 punëtorëve të QKUK-së për ekskursion në Shqipëri

Sindikata e Infermierëve të Kosovës ka kërkuar të hetohet mënyra e lirimit nga puna e rreth 600 punëtorëve të QKUK-së që sipas tyre kanë shkuar sot në ekskursion në Shqipëri.

Kjo sindikatë ka ftuar publikisht Inspektoratin e Punës, Ministrinë e Shëndetësisë, SHSKUK-në dhe Bordin e SHSKUK-së që urgjentisht ta hetojnë mënyrën e lirimit nga puna të këtyre punëtorëve.

Sipas sindikatës, me këtë veprim është rrezikuar dhe kufizuar pa të drejtë dhënia e shërbimeve qytetarëve.

“Sindikata e Infermierëve të Kosovës e kupton nevojën e profesionistëve shëndetësorë për sadopak relaks pas gjithë stresit të akumuluar gjatë periudhës me pandeminë COVID-19. Në anën tjetër konsideron që me këtë veprim është rrezikuar dhe kufizuar pa të drejtë dhënia e shërbimeve qytetarëve, ndërsa barra e punës i’u është lënë stafit mbështetës të cilët tash e 3 muaj nuk kanë paga, ndërsa tani pritet që të mbesin edhe pa punë”, thuhet në reagim.

Sindikata e Infermierëve konsideron që në eventualitet të “betejave” sindikale apo hakmarrjeve, për të fituar poena brenda komuniteteve, shërbimet nuk duhet kufizuar apo rrezikuar në asnjë rast.

““Betejat” sindikale fitohen përmes plotësimit të kërkesave të atyre që përfaqësojmë, rregullimit të statusit social dhe përmirësimit të mirëqenies sociale dhe ekonomike të atyre që përfaqësojmë, e jo duke ndëshkuar qytetarë për teka dhe protagonizëm”, vazhdon më tutje njoftimi.

Sindikata ka thënë se me i drejtë do ishte organizimi i një eventi si shenjë falenderimi për ata që kontribuan gjatë pandemisë COVID-19.

“Sindikata e Infermierëve të Kosovës konsideron që me të drejtë do ishte organizimi i një eventi si shenjë falenderimi për të gjithë ata që kontribuan gjatë pandemisë COVID-19,  mirëpo në kohë kur nuk kufizohen shërbimet, nuk mbingarkohet stafit tjetër dhe nuk i’u mbetet barra atyre që janë skajshmërisht të diskriminuar dhe të papunë potencial”, ka shtuar Sindikata e Infermierëve.