Sindikata e Bujqve nuk është e informuar rreth sigurimit të kulturave bujqësore

Ndonëse është në krye të Sindikatës së Bujqve, në të cilën janë të anëtarësuar rreth 5 mijë bujq në gjithë Kosovën, Tahir Tahiri, në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se tash po e kupton që ka sigurim për kultura të caktuara bujqësore.

“Ministria nuk është transparente. Ne e dimë që nuk ka pasur asnjë bujk i cili ka siguruar ndonjë kulturë bujqësore sepse nuk kanë pasur informacione se ku duhet t’i sigurojë. Mua m’kanë pyet se ku mund t’i sigurojmë por unë kam pasur informatë jozyrtare bile s’e kam ditë as cila kompani bën sigurimin e kulturave bujqësore” – ka thënë Tahiri.

Fatmir Selimi, magjistër i agro-ekonomisë, e ka mohuar që nuk kanë pasur fushata informuese për sigurimin e kulturave bujqësore.

Madje ai ka përmendur një numër të shoqatave që përfaqësojnë bujqit, që janë duke bashkëpunuar.