Foto: ZKM

Kurti takoi ministrin gjerman të Ushqimit dhe Bujqësisë, Cem Özdemir  

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ministrin gjerman të Ushqimit dhe Bujqësisë, Cem Özdemir, i cili u shoqërua nga ambasadori gjerman ne Kosovë, Jörn Rohde.

Sipas njoftimit, gjatë takimit u bisedua për marrëdhëniet dypalëshe diplomatike dhe ekonomike, si dhe ndikimin pozitiv të diasporës së Kosovës në Gjermani.

Kurti është shprehur falënderues për vizitën e ministrit Özdemir dhe për mbështetjen e vazhdueshme të Republikës Federale të Gjermanisë për Kosovën. Gjermaninë, veçanërisht e falënderoi për rolin e rëndësishëm të ushtrisë gjermane Bundesëehr në KFOR.

Ndërsa, ministri gjerman u shpreh i lumtur që më në fund po e viziton Prishtinën dhe falënderoi kryeministrin Kurti dhe ministrin Peci për mikpritjen, bashkëpunimin dhe për raportet e shkëlqyeshme bilaterale.

Në njoftim thuhet se gjatë takimit, kryeministri e njoftoi ministrin Özdemir edhe për zhvillimet politike në vend, sulmin terrorist të 24 shtatorit, hetimet rreth tij, faktet që dëshmojnë për lidhjen dhe përfshirjen e drejtpërdrejtë të shtetit të Serbisë dhe për punën profesionale të Policisë së Kosovës.

“Për punën profesionale të Policisë u shpreh mirënjohës edhe ministri gjerman, i cili gjithashtu shprehu ngushëllime për policin e rënë në detyrë, Afrim Bunjaku, në ditën e sulmit terrorist”- ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.

Ministri i Ushqimit dhe Bujqësisë  të Gjermanisë, Cem Özdemir sot gjatë gjithë ditës ka qëndruar për vizitë zyrtare në vend.

Sipas njoftimit ai paraprakisht kishte zhvilluar edhe një takim me homologun e tij, ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, i cili bashkë me zëvendësministrin Imri Demelezi dhe Shefin e Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi ishin po ashtu të pranishëm në takimin e mbajtur në kryeministri.