Malcolm Simmons

Simmons i reagon ambasadorit gjerman: E-mailat dhe dokumentet janë aty që t’i shohin të gjithë

Ish-kryetari i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons ka reaguar ndaj deklaratave të ambasadorit të Gjermanisë, Jorn Rohde i cili u shprehur i habitur përse Kuvendi i Kosovës po i jep hapësirë Simmons për “kampanjën dezinformuese”.

Përmes një reagimi në Twitter, Simmons ka thënë që janë dokumentet dhe e-mailat për pretendimet e tij.

“Le të dëgjojmë nga EULEX-i dhe nga shtetet anëtare gjatë shqyrtimit publik. E-mailat dhe dokumentet janë aty që t’i shohin të gjithë”, ka shkruar Simmons.

Dje, para deputetëve të Kuvendit të Kosovës në Komisionin për Legjislacion, Simmons, ka folur për skandalet e EULEX-it, duke thënë që ky ka qenë një “mision politik”  dhe se shumë zyrtarë aty duan vetëm ti mbushin “gjepat me ar”.

Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, është shprehur i habitur se përse Kuvendi i Kosovës i ofron hapësirë ish-gjykatësit Simmons.

“Refuzim shumë bindës dhe gjithëpërfshirës i EULEX-it për pretendimet e paqena. Unë thjesht pyes veten pse Kuvendi i Kosovës ende i siguron ish-gjykatësit Simmons një hapësirë për të vazhduar këtë fushatë dezinformomi”, ka shkruar Rohde në twitter.

Të pavërteta dhe hamendësime i ka quajtur Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX) pretendimet për korrupsion dhe ndikime brenda këtij mekanizimi të ish-kryetarit të Asamblesë së Gjyqtarëve në EULEX, Malcolm Simmons, i ka dhënë dje.

Në një përgjigje për KALLXO.com, EULEX-i ka thënë se deklarimet e Simmons janë fushatë dezinformuese.

“Deklarata e Malcolm Simmons në Parlament sot është një përmbledhje e hamendësimeve të keq konceptuara dhe të pabazuara, të pavërtetave dhe mendimeve personale. Duke e ditur se ai nuk mund të paditet për shpifje, pasi deklarata e Simmons është e mbuluar nga imuniteti i privilegjit parlamentar, ai u angazhua në një fushatë të qëllimshme dezinformimi në lidhje me keqbërje që pretendohet se kanë ndodhur gjatë kohës së tij në EULEX dhe që kishte për qëllim shërbimin e motiveve dhe interesave të fshehta”, thuhet në përgjigjet e tyre.

Ambasadori i Gjermanisë i habitur se pse Kuvendi po i jep hapësirë ish-gjykatësit Simmons