Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde

Ambasadori i Gjermanisë i habitur se pse Kuvendi po i jep hapësirë ish-gjykatësit Simmons

Ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, është shprehur i habitur pse Kuvendi i Kosovës po i jep hapësirë ish-kryetarit të Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons, për siç e ka quajtur ai ‘kampanjën dezinformuese’.

Dje, para deputetëve të Kuvendit të Kosovës në Komisionin për Legjislacion, Simmons, ka folur për ‘skandalet e EULEX-it’, duke thënë që ky ka qenë një ‘mision politik’, duke theksuar se ‘shumë zyrtarë aty duan vetëm t`i mbushin gjepat me ar’.

Ambasadori gjerman në reagimin e tij në Twitter është shprehur i habitur se përse Kuvendi i Kosovës i ofron hapësirë ish-gjykatësit Simmons.

“Refuzim shumë bindës dhe gjithëpërfshirës i EULEX-it për pretendimet e paqena. Unë thjesht pyes veten pse Kuvendi i Kosovës ende i siguron ish-gjykatësit Simmons një hapësirë për të vazhduar këtë fushatë dezinformomi”, ka shkruar Rohde.

Të pavërteta dhe hamendësime i ka quajtur Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX) pretendimet për korrupsion dhe ndikime brenda këtij mekanizimi të ish-kryetarit të Asamblesë së Gjyqtarëve në EULEX, Malcolm Simmons, që i ka dhënë dje.

Në një përgjigje për KALLXO.com, EULEX-i ka thënë se deklarimet e Simmons janë fushatë dezinformuese.

“Deklarata e Malcolm Simmons në Parlament sot është një përmbledhje e hamendësimeve të keq konceptuara dhe të pabazuara, të pavërtetave dhe mendimeve personale. Duke e ditur se ai nuk mund të paditet për shpifje, pasi deklarata e Simmons është e mbuluar nga imuniteti i privilegjit parlamentar, ai u angazhua në një fushatë të qëllimshme dezinformimi në lidhje me keqbërje që pretendohet se kanë ndodhur gjatë kohës së tij në EULEX dhe që kishte për qëllim shërbimin e motiveve dhe interesave të fshehta”, thuhet në përgjigjet e tyre.

Reagimi i EULEX-it për akuzat e ish-gjyqtarit Malcolm Simmons