Si u bë Aeroporti i Prishtinës një pikënisje për fushatën zgjedhore federale zvicerane?

Me afrimin e zgjedhjeve federale zvicerane në fund të muajit tetor, kandidatët nga i gjithë spektri politik, përfshirë edhe konservatorët e krahut të djathtë, në mënyrë aktive e konsiderojnë komunitetin kosovar si votues potencial për partitë e tyre përkatëse.

Sanija Ameti qëndron në një pankartë një metër të lartë në Aeroportin e kryeqytetit të Kosovës, në Prishtinë. Politikania e gjelbër-liberale u uron udhëtarëve fluturim të mbarë – në gjuhën shqipe. Pankarta u kujton atyre që ta zgjedhin emrin e Ametit në fletëvotim në ditën kur ata votojnë në zgjedhjet federale të muajit të ardhshëm.

Ameti nuk kandidon në Kosovë por kandidon për Dhomën e Përfaqësuesve të Zvicrës. Këshilltarja lokale 31-vjeçare e Cyrihut dëshiron të shkojë në Bernë. Megjithatë, ajo e ka nisur fillimin e fushatës së saj zgjedhore qindra kilometra larg kryeqytetit zviceran.

 

Në Zvicër jetojnë rreth 250 mijë persona të cilët janë me origjinë kosovare. Ata përbëjnë një nga grupet më të mëdha të të huajve në Zvicër. Çdo vit, qindra prej tyre aplikojnë për natyralizim. Sipas Entit Federal të Statistikave, që nga viti 2018 rreth 15 mijë kosovarë e kanë e marrë pasaportën e kuqe zvicerane. Në vitin 2021, 33 mijë shtetas të dyfishtë zvicerano-kosovarë jetonin në Zvicër – vetëm qytetarë nga Gjermania, Italia dhe Franca janë natyralizuar me një shkallë më të lartë.

Në proceset zgjedhore përgjatë viteve, komuniteti kosovar nuk ishte problem për strategët e fushatës. Një gjë e tillë tani po ndryshon.

Ameti, e cila si fëmijë iku me familjen e saj nga ish-Jugosllavia, nuk është e vetmja që e ka vënë re këtë: votat e diasporës kosovare mund të jenë vendimtare në këto zgjedhje. Edhe partitë e tjera duan t’i mobilizojnë kosovaro-zviceranët për të mirën e tyre.

Mbështetje për socialdemokratët

Socialdemokratët po marrin edhe mbështetje zyrtare nga vetë Kosova. Partia politike kosovare në qeverisje aktualisht, Vëtëvendosje, një parti motër e Partisë Socialdemokrate, premtoi në muajin janar – në prani të kryeministrit kosovar Albin Kurti dhe ish-ministres së punëve të Jashtme zvicerane, Micheline Calmy-Rey, si dhe bashkëpresidentit të partisë Cédric Wermuth –  mbështetjen për socialdemokratët në zgjedhjet e ardhshme. Nga kjo mbështetje sigurisht që mund të përfitojnë kandidatët kosovarë të Partisë Socialdemokrate pasi që Vetëvendosje gëzon një popullaritet të madh në mesin e diasporës kosovare në Zvicër.

Asnjë parti tjetër zvicerane nuk ka më shumë kandidatë me prejardhje kosovare sesa socialdemokratët. Për shembull, Arbër Bullakaj nga St Gallen kandidon për herë të dytë në zgjedhjet parlamentare. Ai është një kampion i dalluar i partisë së tij që përballet me iniciativa popullore për forcimin e të drejtave civile të popullatës migrante në Zvicër.

Ylfete Fanaj ishte e para zvicerane-kosovare që u zgjodh në një qeveri kantonale në vitin 2023. Fanaj, e cila erdhi në Zvicër në moshën 9-vjeçare me prindërit e saj kosovarë dhe është politikane e Partisë Socialdemokrate, ka qenë anëtare e qeverisë kantonale të Lucernit që nga 14 maji dhe është një model për shumë politikanë migrantë në Zvicër.

Partia e Gjelbër gjithashtu dëshiron t’i sjellë votuesit emigrantë në qendrat e votimit, duke thënë për swissinfo.ch se ata mbështeten në thirrje specifike zgjedhore në gjuhë të ndryshme në mediat sociale. Për sa i përket përmbajtjes, thotë Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Gjelbër, Rahel Estermann, partia dëshiron t’i fitojë votuesit me politikën e saj të hapur të migracionit dhe azilit, falë së cilës “shumë njerëz me prejardhje migrimi gjetën rrugën e tyre për në Zvicër në radhë të parë, veçanërisht nga Kosova”.

Gëzim Hasanaj, i cili kandidon në kantonin e Bazelit dhe që në janar të vitit 2023 u bë politikani i parë i Gjelbër me origjinë kosovare që fitoi ulëse në parlamentin kantonal, dëshiron t’i përfaqësojë të Gjelbërit në Dhomën e Përfaqësuesve.

Partia Popullore Zvicerane gjithashtu është në veprim

Asnjë nga partitë zvicerane nuk e regjistron zyrtarisht sfondin e migrimit të anëtarëve të tyre. Megjithatë, kur u pyetën, të gjashtë partitë kryesore – Socialdemokratët, Të Gjelbrit, Të Gjelbrit-Liberalë, Qendra, Radikalët-Liberalë dhe Partia Popullore Zvicerane – e konfirmojnë se listat e tyre përfshijnë kandidatë me prejardhje emigrante, duke përfshirë disa me origjinë kosovare. Megjithatë, është e pamundur të dihet saktësisht se sa prej tyre janë në listat e secilës parti.

Prandaj, nuk duhet befasuar që nuk është vetëm e majta ajo që tani po kërkon vota nga diaspora kosovare. Partia Popullore konservatore e krahut të djathtë iu përgjigj ofensivës verore të Sanija Ametit në Aeroportin e Prishtinës që i targetonte të ashtuquajturit Shacis (Kosovarët në Zvicër) me një artikull në tabloidin zviceran Blick.

Në artikull, parlamentari i Partisë Popullore, Fredi Heer, shkruante se partia e tij kishte shumë më shumë gjasa t’i përfaqësonte shqetësimet e kosovaro-zviceranëve sesa të gjelbër-liberalëve të Ametit: “Shumë zviceranë me prejardhje shqiptare kosovare do të votojnë për Partinë Popullore në tetor sepse ajo e mbron klasën e mesme dhe tregtinë”.

Nga ana tjetër, kundërsulmi mediatik i Heer-it ka shkaktuar indinjatë në mesin e disa politikanëve me prejardhje migrante. Pasi Partia Popullore kishte kaluar vite duke bërë fushatë kundër kosovarëve në Zvicër, dukej cinike që tani të përpiqet t’i fitojë ata si votues, argumentuan ata. Në vitin 2011, Partia Popullore publikoi një reklamë gjatë fushatës zgjedhore federale me sloganin “Kosovarët po i ndajnë zviceranët”. Gjykata Federale e dënoi sekretarin e përgjithshëm të partisë dhe zëvendësin e tij në vitin 2017 për diskriminim racor për reklamën.

“As unë personalisht nuk mendoja se ajo fushatë ishte e e mençur”, thotë Heer për swissinfo.ch. Ai i qëndron prapa qëndrimit të tij: “Shumë emigrantë, përfshirë kosovarët, i ndajnë vlerat tona”, thotë ai.

Ndërkohë që socialdemokratët, të gjelbrit dhe liberalët e gjelbër premtojnë të drejta civile më liberale, mundësi të barabarta dhe më pak diskriminim, partitë e qendrës së djathtë i vendosin stimujt diku tjetër. Radikalët-Liberalë dhe Qendra thonë se nuk po bëjnë fushatë posaçërisht për zvicerano-kosovarët apo komunitetet e tjera të emigrantëve në Zvicër.

“Profili ynë kozmopolit dhe ekonomikisht liberal, si dhe përkushtimi ynë për liri dhe një shoqëri tolerante, është tërheqës për shumë njerëz”, shkruan Marco Wölfli, menaxheri i komunikimit i Radikalëve-Liberalë. Tingëllon e ngjashme me Qendrën. “Ne fokusohemi në çështje thelbësore që kanë të bëjnë me popullatën në tërësi, pavarësisht nga origjina”, thotë Thomas Hofstetter, bashkë-udhëheqës i komunikimeve për partinë.

Këto janë vlera që padyshim rezonojnë me pjesëtarët e komunitetit kosovar. Ndër të tjera, Përparim Avdili, i cili e kryeson partinë Radikale-Liberale në Cyrih që nga viti 2022, dëshiron të kandidojë për një mandat në Bernë. Majlinda Sulejmani në kantonin St Gallen kandidon për Qendrën. Sulejmani është gjithashtu gruaja e parë muslimane që kandidon për partinë e saj.

Diasporë optimiste

Hilmi Gashi është kryetar i grupeve të migracionit dhe interesit në sindikatat Unia dhe anëtar i parlamentit komunal Muri-Gümligen për Partinë e Gjelbër në kantonin e Bernës. Ai ka vite që bën fushatë për integrimin dhe pjesëmarrjen e diasporës kosovare në politikën zvicerane. Ai po i vëzhgon me shumë interes zgjedhjet nacionale të këtij viti dhe thotë: “Edhe larg partive të majta, vërehet se ka përpjekje të fuqishme për ta shfrytëzuar potencialin votues të kosovarëve zviceranë”.

Vala e re e pjesëmarrjes së komunitetit kosovar në politikën zvicerane është pozitive, porse nuk nuk është befasuese për të: “Nuk është se komuniteti kosovar nuk ka qenë politik më parë”. Shumë kosovarë e kanë ndryshuar fokusin e tyre në vitet e fundit: vështrimi i tyre politik u zhvendos nga vendlindja e tyre në shtëpinë e tyre të re me shpalljen e pavarësisë së shtetit kosovar në vitin 2008, thotë Hilmiu.

Hilmiu i konsideron të pakta shanset e kandidatëve zvicerano-kosovarë. Konkurrenca nuk duhet nënvlerësuar: “Pavarësisht vullnetit për ta formësuar të ardhmen, fushatave të mira dhe biografive politike, ne jemi më të mirë se të tjerët”. Analisti politik dhe autori i librit Mark Balsiger nxjerr një bilanc të ngjashëm: “Historitë e suksesit si ajo e këshilltares së sapozgjedhur të qeverisë së Lucernit, Ylfete Fanaj, japin shpresë. Mirëpo, do të kalojë shumë kohë përpara se zgjedhje si ajo të jenë normale. Politika zvicerane mbetet prapa realitetit social”.

Megjithatë, brenda komunitetit kosovar ka optimizëm. “Të gjitha rrugët të çojnë në Bernë” (All roads lead to Berne) ishte titulli i revistës së diasporës Albinfo në muajin prill. Më 10 shtator, kjo revistë organizoi një panel diskutimi në Cyrih me kandidatët Islam Alijaj (socialdemokrat), Reis Luzhnica (socialdemokrat) dhe Përparim Avdili (radikal-liberal). Temë e panelit ishte pjesëmarrja politike e komunitetit shqiptar të Kosovës në Zvicër.

Ky artikull është publikuar fillimisht në Swissinfo.ch. 

Përgatiti në shqip – Nuhi Shala / Kallxo