Paratë dhe sendet me vlerë të sekuestruara, Foto: Policia e Shtetit

Si ndodhi vjedhja e mbi 500 mijë euro para e gjëra me vlerë në Tiranë?

Më 7 janar, Policia e Shtetit në Tiranë ka arrestuar nënë e bir, të cilët dyshohet se kanë vjedhur para e sende me vlerë mbi 500 mijë euro në banesën e Alda Klosit, e cila ka qenë drejtoreshë e koncesioneve në Ministrinë e Ekonomisë në kohën kur drejtohej nga Arben Ahmetaj dhe më pas shefe kabineti e Ministrisë së Rindërtimit.

E dyshuara Rozeta Dobi ka treguar para grupit hetimor se urrejtja ishte shkaku që e shtyu atë të grabiste banesën ku ajo ishte e punësuar nga Alda Klosi.

Në dosjen e plotë hetimore te siguruar nga Top Channel, zbulohet se më 15 dhjetor Rozeta shkoi në shtëpinë e Aldës për të bërë një kontroll, ku ka vënë re në dhomën e gjumit një kasafortë e cila ishte në ngjyrë gri.

Pasi e ka hapur kasafortën, brenda saj ka konstatuar se ndodheshin shuma monetare të prerjeve 500 euro, 200 euro dhe 100 dollarë, në moment që i ka parë këto shuma parash nga urrejtja që kishte krijuar ndaj Aldës i ka marrë paratë dhe është larguar më pas me mjetin e djalit të saj.

Burime policore që po hetojnë ngjarjen i thanë Top Channel se kanë nisur verifikimet ndaj Alda Klosit për të dhënë sqarime se kush ishte burimi i shumës së parave të grabitura në shtëpinë e saj.

Është bërë shoqërimi i dy të dyshuarve në Komisariat. I është marrë deklarimi të dyshuarës Rozeta Dobi e cila ka deklaruar se, Alda Klosi ka marrë një banesë me qira tek Rruga e ”Kosovarëve” e cila aty qëndronte me vajzën e saj. Në datë 15.12.2022 i kërkova djalit tim shtetasit Havier Dobi të më dërgonte me makinë tek banesa e Aldës. Pasi ka hyrë në banesë të cilën e ka hapur me çelësin që dispononte ka bërë një kontroll për të parë se çfarë ajo kishte në banesë. Gjatë kontrollit ka vënë re se në dhomën e gjumit në dollap ajo mbante një kasafortë e cila ishte në ngjyrë gri. Pasi e ka hapur atë brenda saj ka konstatuar se ndodheshin shuma monetare të prerjeve 500 euro, 200 euro dhe 100 dollarë, në moment që i ka parë këto shuma parash nga urrejtja që kishte krijuar ndaj shtetases Alda Klosi i ka marrë paratë dhe është larguar më pas me mjetin e djalit të saj. Deklaron se shuma e parave të gjetura në banesën time është nga shuma e lekëve që ka marrë në banesën e shtetases Alda Klosi”, thuhet në dosje.

Fillimisht, gjatë kontrollit të banesës së shtetasve të arrestuar, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 58,150 euro, 7,000 dollarë, 368 000 lekë të rinj, sende me vlerë (aksesorë floriri), 3 automjete, 2 prej tyre të blera nga paratë e vjedhura, si dhe veshje të përdorura gjatë kryerjes së kësaj veprimtarie.

Në vijim të operacionit për gjetjen e parave të vjedhura, zyrtarët policorë më 8 janar kanë kryer një kontroll tjetër në banesën e të dyshuarve dhe në tubin e aspirimit kanë gjetur dhe sekuestruar 404,800 euro, 8,500 dollarë dhe aksesorë floriri, të cilat janë sekuestruar në cilësi të provave./TopChannel