Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Si do të ndikojë në zgjedhjet presidenciale infektimi i Donald Trump me COVID-19 ?

Presidenti i Amerikës ka deklaruar se fundi i pandemisë tashmë po shihet ndonëse vetë ai tani është bërë pjesë e pandemisë, qështjes më prominente në shtetin të cilin e udhëheqë, SHBA, dhe jo vetëm.  

Donald dhe Melania Trump kanë rezultuar të dy pozitivë për COVID-19, vetëm katër javë para zgjedhjeve presidenciale. Kjo do të duhej të të jetë diçka e frikshme për ta dhe familjen e tyre. Testimi pozitiv do të ketë gjithashtu një efekt të rëndësishëm në fushatën presidenciale. Për muaj me radhë, gazetarët politikë kanë spekuluar për një surprizë të Tetorit. Tani kemi një të tillë, shkruan The Economist

Një mundësi që duhet të merret parasysh është fakti që presidenti është shëndetmirë. Disa njerëz të infektuar nuk pësojnë simptoma apo vetëm sëmurën lehtë. Presidenti Trump do të futet në karantinë për dhjetë ditë, do ti ofrohet çdo kujdes që ai e kërkon nga spitali Ushtarak Walter Reed në Bethesda, Maryland, në të cilin ai u dërgua të premten në mbrëmje. Trump do të shfaqet në mesin e  tetorit  duke deklaruar: “e shihni, unë ju thashë gjatë gjithë kësaj se nuk ishte ndonjë punë e madhe.”

Edhe ky skenar dashamirës, sidoqoftë, nuk është i mirë për presidentin në pikëpamjen politike. Nëse ai merr një përkrahje simpatie nëpër sondazhe, ka të ngjarë që kjo përkrahje prapë të jetë e vogël.

Trump është akoma shtatë pikë prapa kundërkandidatit nga radhët e demokratëve, Joe Biden, bazuar në mesataren e sondazheve të bëra nga The Economist, që i japin Presidentit Trump vetëm një të dhjetën e shanseve për të fituar zgjedhjet. Trump dëshiron ti shmanget temave, të tilla si COVID-19, keqmenaxhimi i administratës së tij për reagimin ndaj epidemisë dhe taksave që ka ndërmarrë në ekonomi. Vetë sëmundja e tij e bën atë detyrë të pamundur për dhjetë ditët e ardhshme. Në kohën kur ai do të dalë nga karantina, nuk do t’i mbetet shumë kohë për ta kompensuar deficitin në shifrat e sondazheve të tij.

Dhe, ndërsa ai po rikuperohet, amerikanëve do t’iu përkujtohet se Trump ka kaluar gjithë vitin duke minimizuar dhe nënçmuar ashpërsinë e virusit, madje në një moment të caktuar edhe duke pretenduar se virusi thjesht do të zhdukej. Në debatin e parë presidencial të martën në mbrëmje, ai tha se kishte veshur një maskë kur kishte nevojë për të – dhe pastaj u tall me Bidenin për insistimin e tij për të veshur një të tillë gjatë gjithë kohës. “Unë nuk mbaj maska si ai”, deklaroi Trump. “Secilën herë që e shihni, ai ka të veshur një maskë. Ai e ka mundësinë të flasë nga 200 metra distancë larg meje dhe prapë ai shfaqet me maskën më të madhe që kam parë ndonjëherë.” Diç më vonë, Trump deklaroi se fundi i pandemisë po shihej në horizont.  

Shtëpia e Bardhë ka insistuar prej kohësh se  Presidenti Trump nuk ka nevojë të mbajë një maskë sepse ai dhe njerëzit përreth tij testohen vazhdimisht. Kjo mund të jetë e drejtë, por duke mbajtur këtë qëndrim presidenti ka minuar mbështetjen për të mbajtur maska në një kohë kur drejtori i tij i Qendrave për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) ka qenë këmbëngulës që amerikanët mund ta ngadalësojnë përhapjen e virusit nëse veshin/mbajnë një maskë  – mbi të gjitha për të mbrojtur të tjerët. Nuk ka nevojë për një mendje gjeniale që ta vendosë një vijë të drejtë midis porosive të paqarta të presidentit dhe 200,000 amerikanëve që nuk i kanë mbijetuar pandemisë COVID-19.

Ekziston, sigurisht, një skenar i dytë: Presidenti Trump sëmuret rëndë, ashtu siç u sëmur kryeministri i Britanisë, Boris Johnson, në muajin prill.

]]Trajtimi për ata që janë të shtruar në spital me COVID-19 është përmirësuar gjatë muajve të fundit. Kjo pjesërisht shpjegon pse shkalla e vdekshmërisë nga COVID-19 në Amerikë po bie (një arsye tjetër është se po bëhen më shumë teste).

Nga ana tjetër, Presidenti Trump është pjesë e tre faktorëve të njohur të rrezikut: të qenit mashkull, i moshuar (ai është 74 vjeç) dhe me një indeks të masës trupore (BMI) mbi 30 (buletini mjekësor i presidentit nga prilli i jep atij një BMI prej 30.5 , sipas llogaritësit të Institutit Kombëtar të Shëndetit).

Tom Frieden, ish-president i Qendrave për Kontrollin e Sëmundjeve, CDC, shkroi në Tëitter: “Një 74-vjeçar ka afërsisht 3% mundësi vdekjeje, 10-15% mundësi sëmundjeje të rëndë. Përqindje më e lartë tek meshkujt me mbipeshë.” Shumë njerëz në të 70-at e tyre kanë edhe sëmundje tjera mjekësore që shtojnë rrezikun. Sidoqoftë, presidenti do të jetë në gjendje të përfitojë nga kujdesi mjekësor më i mirë në botë.

Në rast se Presidenti Trump është përkohësisht i paaftë, atëherë Mike Pence, Zëvendës presidenti, mund ta marr përsipër detyrën e Presidentit sipas amandamentit të 25-të të kushtetutës, i cili u ratifikua pas vrasjes së John F. Kennedy. Zëdhënësi i Mike Pence ka shkruar në Twitter se zëvendës presidenti dhe gruaja e tij kanë testuar negativisht, që të dy.

Mirëpo pasiguria nuk mbaron këtu. Ekziston një skenar i tretë i cili do të ishte edhe më befasues – dhe që me të vërtetë mund t’i kthente përmbys këto zgjedhje, në kuptimin e ndryshimit të rezultatit të mundshëm. Çdo listë e skenarëve të mundshëm midis kohës aktuale dhe 3 nëntorit duhet të përfshijë gjithashtu një të tillë ku Presidenti Trump shërohet, dhe Joe Biden sëmuret para ditës së zgjedhjeve.

Kjo duket e pabesueshme. Demokrati Joe Biden, i cili kaloi 90 minuta të martën në mbrëmje disa metra larg presidentit në një debat televiziv dhe me humor të keq, gjithashtu ka rezultuar negativ. Por pas një jave tjetër mahnitëse (e cila filloi, mos harroni, me zbulimet e New York Times për çështjet e taksave të presidentit), amerikanët mund të shtrojnë pyetjen se çfarë tjetër mund të ndodhë gjatë kësaj fushate elektorale për zgjedhjet presidenciale në SHBA. 

 

Përktheu Nuhi Shala