Shyqyri Haxha: Kontratën me Z-Mobile nuk e kam nënshkruar unë, kam qenë i obliguar ta zbatoj

Ish-kryeshefi i Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës (PTK), Shyqyri Haxha, në emisionin “Kallxo Përnime” nuk ka dhënë sqarime rreth negociatave që janë zhvilluar në mes të Telekomit dhe kompanisë Dardafone për ndarjen e të hyrave.

Haxha ka mohuar se kontratën e ‘dëmshme’ me Dardafone (Z-Mobile) e ka nënshkruar ai. Haxha ka insistuar se në kohën kur kishte ardhur ai në Telekom, kontrata ishte e përfunduar, dhe se ai ka qenë i obliguar ta implementojë. Sepse në të kundërtën, Haxha tha se kjo ndërmarrje do të ndiqej penalisht.

“Unë e kam parafru kontratën. Unë nuk e kam nënshkru kontratën. Kontrata është një raport mes dy palëve që është përgatit nga Departamenti legal para se me qenë unë në PTK. Ne kemi qenë në proces gjyqësor dhe është konstatu se “me një nënshkrim të thjeshtë Haxha ka zbatu”, ne kemi qenë të obligum me i kry obligimet tona. Unë kam ardhë në Telekom kur çdo proces ka qenë i përfundum. Kur e kanë marrë licencën këta kanë hy në marrëdhënie obligative, nëse nuk do të implementohej kontrata që PTK e ka bë para se me ardhë unë, se unë nuk kam bë kontratë. Çdo njeri që nuk do ta impementonte këtë kontratë do t’i shkaktonte dëm Telekomit dhe do të ndjekej penalisht”, ka thënë Haxha.

Ai e ka pranuar se marrëveshja fillestare e miratuar nga bordi i Telekomit kishte paraparë që të hyrat të ndahën 22% për Telekomin dhe 78% për Dardafone. Draft-marrëveshja me këtë lloj përqindje, tha se u votua me vendim të bordit më 20.10.2008 para se ai të vjen të krye të kësaj ndërmarrjeje.

Pas kësaj ai shton se ish-kryeshefi i atëhershëm, kishte nënshkruar parakontratë me Dardafone në të cilën përmendet edhe Arbitrazhi.

Por nuk ka dhënë sqarime për marrëveshjen finale që parasheh ndarjen e të hyrave 27% për Telekomin dhe 73% për Dardafone dhe nëse ka pasur mundësi dhe tentativë që ndarja e të hyrave të jetë më e lartë për Telekomin.

“Sa kam qenë unë në Telekom nuk e kemi leju që kjo kontratë e punume nga Telekomi e aprovuar nga bordi i PTK-së dhe ata vetë e kanë gjeneru brenda, nuk e kemi leju që ta dëmtojë. Në kohën kur ka fillu implementimi i kontratës, ne e kemi ndalë, i kam me fakte. Shfuqizimi i vendimit të MVNO-së është bërë më 23.09.2009, edhe prapë bordi ka kërku që të rifillojë pas një viti. Sa kemi qenë na, nuk ka pasë dëm, sepse nuk e kemi leju. Çka ka ndodhë pas kohës sonë, është tjetër sen… Mos u thirr në kontratën që kam nënshkru, nuk është e vërtetë që përqindja me Dardafone ka qenë 22 % [PTK] e Dardafone 78%. Si ka mundësi që ju nuk e dini?! Po të pyes ty [Jeta Xharrën]. Nuk kam nevojë me u sqaru sepse kam qenë në proces gjyqësor”, u shpreh ai.

KALLXO.com posedon dokumentin e marrëveshjes parimore që mban nënshkrimin e Adnan Merovcit dhe Blerim Devollit si përfaqësues i Dardafone (Z-Mobile). Marrëveshja parimore mes dy palëve u nënshkrua më 27 gusht 2008.

Në vitin 2019, ish-kryeshefi ekzekutiv i PTK-së, Adnan Merovci, në dëshminë e tij para Komisionit hetimor parlamentar për PTK-në, kishte thënë se bordi i PTK-së i kishte bërë presion për nënshkrim të kontratës me “Dardafone”.

Merovci kishte thënë se atë kohë nuk ka pranuar që ta nënshkruajë direkt kontratën, por ka propozuar që të bëhej një marrëveshje me qëllim që t’u jepet kohë për analizimin e asaj që kishte ndodhur.

Ai gjithashtu kishte thënë se një javë pasi  ka nënshkruar parakontratën ose “marrëveshjen parimore”, ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeshefit.

Më poshtë gjeni dokumentin e plotë të marrëveshjes parimore: