Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Shumica e kandidatëve për kryetar nuk japin afat kohor për rregullimin e kanalizimit në fshatrat e Rahovecit 

Kandidatët për kryetar të Komunës së Rahovecit e kanë pranuar problemin që e kanë qytetarët me mungesë të kanalizimit në shumë fshatra, por shumica prej tyre nuk kanë dhënë afat kohor se kur do të zgjidhin këtë çështje.

Në Debat Pernime, qytetarët nga fshatrat si Malësi e vogël, Gur i Kuq, Ratkoc dhe Denjë, e kanë thënë se kanë problem me rrjedhjen e ujërave të zeza.

Kandidatët nga opozita kanë fajësuar qeverisjen e deritanishme të AAK-së për moszgjidhjen e këtij problemi.

Kandidati për kryetar të komunës së Rahovecit nga PDK, Bejtullah Deliu, tha se 33 fshatrat e komunës kanë problem me ujëra të zeza.

“Nuk duhet të krenohemi këtu sepse pas shtatë viteve qeverisje nëse përsëri i njëjti premton se do të zgjidhen këto probleme, këto vjet nëse i kanë pasur pak nuk e di se si do të veprojnë më tutje”, u shpreh ai.

Ndërkaq, kandidati për kryetar të komunës së Rahovecit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Burim Krasniqi, në Debat Pernime ka thënë se asnjë lokalitet nuk ka zgjidhje të problemit të ujërave të zeza.

Ai shtoi se nëse bëhet kryetar është i interesuar “që fillimisht të bëjmë një projekt detal për trajtimin e ujërave të zeza në gjithë komunën e Rahovecit”.

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Rahovecit, Smajl Latifi tha s se kanë projekte në lokalitete për të rregulluar kanalizimin.

“Në Guri të Kuq ka kanalizim, por duhet një grope septike sepse derdhja ku përfundon gypat aty është me rëndësi. Kemi projekt, kemi kontratë dhe jemi të interesuar me e zgjidh sa më shpejt”, tha mes tjerash ai.

Më vonë në debat, ai premtoi se do të zgjidh këto probleme brenda mandatit të ardhshëm.

Kurse, kandidati nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Rahovecit, Visar Korenica tha se ka gjendje të keqe të ujërave të zeza në këtë komunë.

“Nuk do shumë investim për rregullimin e tyre, duhet së pari  të bëjmë intervenimet e nevojshme që të mbrojmë së pari tokat bujqësore nga dëmtimet e tyre dhe më pastaj nëj studim fizibiliteti që t’i ndajmë ujërat e zeza prej atyre atmosferik dhe instalimin e impianteve natyrore që të mbrojmë edhe Drinin e Bardhë”, tha ai.

Ndërsa, Kandidati i pavarur për kryetar të Rahovecit, Xhafer Bytyqi në Debat Pernime ka thënë se ujërat e zeza në këtë komunë asnjëherë nuk janë trajtuar si duhet.

“Ujërat e zeza duhet të jenë prioritet i çdo qeverisje, unë do ta kem prioritet gjithsesi nëse do ta marr besimin e qytetarëe”, theksoi ai. 

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Rahovecit diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Rahovecit: Bejtullah Deliu nga PDK; Burim Krasniqi nga LDK; Smajl Latifi nga AAK; Visar Korenica nga LVV dhe Xhafer Bytyqi – kandidat i pavarur.  

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Rahovecit: Besmire Bytyçi dhe Bjondina Kleqka nga AAK; Edona Kryeziu nga LDK; Florida Bajraktari dhe Melinde Iska nga PDK; Merisa Sharku Vuqitërna dhe Shqipe Kryeziu nga LVV.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.