Karabinierët - Foto: Rtv21

Shtetasi rus i kërkuar nga SHBA-ja ik nga arresti shtëpiak në Itali

Djali i një zyrtari të lartë rus, i arrestuar në Itali me kërkesë të Uashingtonit, u rishfaq në Rusi të martën, 4 prill, pasi u arratis nga Italia përkundër që ishte në arrest shtëpiak.

“Unë jam në Rusi! Në këto pak ditë tejet dramatike, kisha pranë meje njerëz të fortë dhe të besueshëm. Unë dua t’i falënderoj ata”, tha Artyom Uss, djali i guvernatorit të rajonit siberian të Krasnoyarsk, për RIA Novosti, agjencinë shtetërore të lajmeve.

Uss u zhduk në fund të marsit, një ditë pasi një gjykatë italiane miratoi ekstradimin e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Autoritetet italiane arrestuan Uss më 17 tetor pas një kërkese nga Uashingtoni, pasi që ai akuzohej se kishte shitur ilegalisht teknologjinë amerikane për kompanitë ruse të armëve.

“Gjykata italiane, që prisja të ishte e paanshme, tregoi njëanshmëri të qartë politike”, tha Uss për RIA Novosti.

Uss ishte një nga pesë rusët e arrestuar me kërkesë të Uashingtonit për “skema të paligjshme për të eksportuar teknologji të fuqishme ushtarake” amerikane në Rusi.

Ai dhe babai i tij Alexander Uss e kishin denoncuar arrestimin si “politik”.

Edhe Rusia e kishte vendosur atë në një listë të personave në kërkim për t’i hapur rrugën Moskës për ta kërkuar ekstradimin e tij.

Ky lajm vjen gjatë një periudhe tensioni mes SHBA-së dhe Rusisë shkaku i luftës në Ukrainë, teksa së fundi një gazetar amerikan është arrestuar në Rusi./REL