Shtëpia e Kulturës në Runik, ‘mollë sherri’ mes Ministrisë së Kulturës e Komunës së Skenderajt

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka reaguar pas ndërhyrjes së Komunës së Skenderajt në Shtëpinë e Kulturës në fshatin Runik.

Sipas MKRS-së, ndërhyrjet “degraduese” nga ana e Komunës së Skenderajt janë bërë pa pëlqimin e institucioneve të MKRS-së dhe në kundërshtim me Ligjin për Trashëgiminë Kulturore.

MKRS thotë se Shtëpia e Kulturës në Runik është aset i trashëgimisë kulturore në mbrojtje, si dëshmi e historisë kulturore dhe rëndësisë së saj për banorët e Runikut dhe fshatrat rreth tij.

“Institucionet përgjegjëse të Ministrisë menjëherë kanë dalë në vend të ngjarjes për të bërë vlerësimin fillestar të gjendjes, ndërsa Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka ndërmarrë hapat ligjorë për ndalim të punimeve të paligjshme nga ana e autoriteteve komunale. Ky monument ngërthen kujtimet e komunitetit për ngjarjet e pasura kulturore të organizuara në bibliotekën, kinemanë dhe sallën koncertale, si pjesë e rëndësishme e kujtesës kolektive” – thuhet në komunikatën e MKRS-së.

Sipas këtij institucioni, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në kuadër të programit vjetor ka paraparë buxhet për renovimin e Shtëpisë së Kulturës, në mënyrë që ky monument të rijetësohet dhe të vihet në shfrytëzim për komunitetin e Runikut dhe më gjerë.

Ministria e udhëhequr nga Hajrulla Çeku i ka apeluar Komunës së Skenderajt që të ndërpresë veprimet e paligjshme, dhe njëkohësisht rikujtojmë që mbrojtja e vlerave të përbashkëta të trashëgimisë kulturore është përgjegjësi e të gjitha institucioneve shtetërore, qendrore e lokale.

Për rastin, ka reaguar edhe Komuna e Skenderajt. Ekzekutivi lokal që drejtohet nga Fadil Nura tha se nuk kishte plane për rrënimin e shtëpisë për të cilën reagoi Ministria e Kulturës.

“Pas reagimit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, lidhur me objektin e Qendrës së Kulturës në Runik, njoftojmë opinionin e gjerë publik se kjo qendër as nuk ka qenë në plane të rrënohet apo të ndërhyhet në të, por të restaurohet dhe të ruhet si vlerë kulturore dhe e trashëgimisë sonë. Kështu edhe do të ndodh” – thuhet në reagim.

“Proceduralisht është kërkuar nga ministria në fjalë brenda 1 jave që të vlerësohet projekti i restaurimit të kësaj qendre, për çka jemi në pritje të përgjigjes. Ndërkohë që derisa ministria të kthejë përgjigje pozitive, pra që të ndajë mjete financiare për realizimin e projektit, Komuna e Skenderajt ka nisur realizimin e Subqendrës, punime këto që kanë nisur me trajtimin e pjesëve tjera brenda zonës ku parashihet subqendra, më saktësisht përgatitja për rrënimin e objekteve ku operojnë bizneset ekzistuese, e assesi të ketë ndërhyrje në objektin e Qendrës së Kulturës në Runik” – thuhet në reagim.

Komuna e Skenderajt të  enjten kishte njoftuar se ka filluar ndërtimi i Subqendrës në Runik, i cili sipas tyre, ka për qëllim “modernizimin e hapësirës urbanistike, me hapësira të mjaftueshme aktraktive, infrastrukturë përcjellëse për biznese, aktivitet kulturor e rinor, për të shndërruar këtë qendër në një atraksion tërheqës”.