Gaza, 12 tetor 2023, Foto: REFL/REL

Shtëpia e Bardhë: Izraeli është pajtuar për pauzë 4-orëshe në ditë në veri të Gazës

Shtëpia e Bardhë tha se Izraeli është pajtuar për pauza katërorëshe humanitare çdo ditë në veri të Gazës, ku po lufton me militantët palestinezë të Hamasit.

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, tha se ka siguruar një rrugë të dytë për civilët që të ikin nga luftimet.

Presidenti Biden i kishte kërkuar kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, që të vendoste pauza ditore. Këtë kërkesë ai e kishte bërë gjatë një bisede telefonike që zhvilloi në fillim të kësaj jave.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare në SHBA, John Kirby, tha se pauza e parë humanitare do të shpallet të enjten. Sipas tij, izraelitët janë zotuar se do të njoftojnë për pauza katërorëshe të paktën tre orë para se të nisë pauza humanitare.

Lufta mes Izraelit dhe Hamasit u nxit pasi ky grup militant palestinez më 7 tetor sulmoi jugun e Izraelit duke vrarë 1.400 persona dhe duke marrë pengje mbi 200 të tjerë.

Që atëherë, Izraeli ka sulmuar nga toka dhe ajri Rripin e Gazës, që është shtëpi e 2.3 milionë palestinezëve.

Izraeli u ka bërë thirrje banorëve në veri të Gazës që të largohen për në jug, përderisa po vazhdon lufta me Hamasin.

Sipas autoriteteve shëndetësore në Gazën e udhëhequr nga Hamasi, si pasojë e luftimeve janë vrarë mbi 10.000 palestinezë./REL