Ilustrim, Foto: Gerd Altmann

Shtatë raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit në Kosovë

Shtatë raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovën në 24 orët e fundit.

Rastet raportohet të kenë ndodhur në Prishtinë, Podujevë, Graçanicë, Obiliq, Ferizaj, Prizren dhe Gjakovë. Nga këto raste, janë arrestuar gjashtë persona të dyshuar.

Në Prishtinë, një burrë ka raportuar në Policinë e Kosovës se në vazhdimësi është duke u kanosur nga vëllai i tij.

Sipas Policisë, palët janë intervistuar kurse, me vendim të prokurorit, i dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje.

Në Podujevë, dy vajza të mitura kanë denoncuar në Polici nënën e tyre.

Sipas Policisë, dyshohet se nëna e vajzave, nga dita kur është ndarë nga babai i tyre është duke iu bërë presion të vazhdueshëm psikik dhe duke iu shënuar në rrjetet sociale.

Policia thotë se, e dyshuara është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është liruar.

Në Graçanicë, Policia e Kosovës ka arrestuar një person nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht një grua. Viktima ka pranuar tretman mjekësor ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Ndërsa në Obiliq, Policia ka arrestuar një burrë i cili po dyshohet se e ka kanosur vëllain e tij. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në Ferizaj, një grua ka raportuar në Policinë e Kosovës se përmes telefonit është kërcënuar nga bashkëshorti i saj, i cili gjendet jashtë vendit.

Policia thotë se, gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur dhe janë konfiskuar një kallashnikov me 39 copë fishekë dhe një pistoletë me gjashtë copë fishekë.

Rasti është në procedurë hetimore.

Në Prizren, një burrë ka raportuar në Polici se djali i tij, duke mos e respektuar urdhrin mbrojtës, i është afruar duke e shqetësuar dhe penguar në punë me sjelljet e tij.

Policia njofton se i dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është liruar.

Në Gjakovë dje është raportuar një rast i dhunës në familje.

Policia raporton se ka ndodhur një mosmarrëveshje mes disa anëtarëve të familjes, me ç’rast janë arrestuar dy burra dhe një grua.

Sipas raportit policor, lëndime kanë pësuar dy gra te cilat kanë pranuar tretman mjekësor.

Me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt.