Foto: KALLXO.com

Rrezik nga kolapsi, 500 mantelbardhë të prekur nga Covid – 19

Derisa numri i të prekurve me COVID-19 në vendin tonë po rritet çdo ditë, në mesin e të prekurve janë edhe rreth 500 profesionistë shëndetësorë.

Kjo ka nxitur diskutime në publik se nëse numri i të infektuarve vazhdon me ketë trend nuk dihet nëse do të kemi mjekë e infermierë për t`u dalë në ndihmë gjithë pacientëve të prekur nga COVID-19.

Ndonëse çdo ditë është sfidë për ta, e secilën orë e kalojnë duke u kujdesur për pacientët e prekur me Covid – 19, heronjtë e ditëve të sotme, mantelbardhët, edhe vet po përballen direkt me virusin vrastar.

Deri më tash në Kosovë numri i personelit shëndetësor që janë infektuar me Covid – 19 ka arritur në 500, 120 prej të cilëve janë mjek.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar për Kallxo.com, Blerim Delija, nënkryetar i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK), i cili vlerëson se nëse shtimi i rasteve të reja me coronavirus COVID-19 vazhdon të shtohet, sistemi shëndetësor kosovar mund të kolapsojë.

“Numri i punëtorëve shëndetësor të infektuar me Covid-19 deri më tash ka arritur në 480-500. Vlerësoj se çrregullimet e mëdha nga numri i madh i pacienteve me Covid-19 mund të sjellin në kolaps sistemin shëndetësor për shkak të resurseve humane”, ka thënë Delija.

Ndonëse në Kosovë sipas Deliut mungojnë staf mjekësor i kualifikuar që mund t’i trajtoj pacientët e prekur me Covid – 19, problem edhe më i madh sipas tij paraqet fakti se ky numër po shkon duke u ngushtuar.

Kjo pasi që vetëm në javën e kalua janë infektuar me coronavirus 14 mjekë.

“Ne krejt Kosovën numri i infektologëve, pomologëve dhe i anesteziologëve është shumë i vogël, kur kihet parasysh se vetëm javën e kaluar kanë rezultuar të infektuar me Covid-19, 14 mjek dhe teknik të Klinikës së Anesteziologjisë. Ky është problem shumë i madh”, ka thënë tutje Delija.

Duke bërë thirrje për respektim të masave, mes tjerash Delija për Kallxo.com ka thënë se klinikat po përballen edhe me mungesa të aparateve të ventilimit, e që aktualisht sipas tij klinikat në shfrytëzim i kanë vetëm 120 aparate të tilla.

Ilustrim

Sakrificat e mantelbardhëve për mbrojtjen e qytetarëve

Lodhje psikike e fizike, stres e rrezik nga infektimi me Covid – 19 po përjetojnë mantelbardhët të cilët janë në kontakt direkt me të prekurit me virusin që ka kapluar botën.

Kështu ka deklaruar Kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu, i cili në një intervistë për Kallxo.com ka theksuar se stafi mjekësor po bëjnë të pamundurën që t’i dalin në ndihmë pacientëve.

“Ne jemi në kontakt gjithmonë me delegatët tanë që janë në secilën klinikë e repart të ndryshëm në spitalet rajonale dhe shtëpitë e shëndetit, dhe çka është e vërteta menaxhimi po bëhet, por me vështirësi sepse në disa pjesë vërehet lodhja tek ta, sidomos tek repartet të cilat kanë të bëjnë me rastet e rënda, pra në repartet e intenzivës. Lodhja e stafit mjekësor nuk është më vetëm fizike por edhe psiqike, për shkak të mbi ngarkesës”, ka thënë Sejdiu.

I pari i Odës së Mjekëve ka potencuar se në bazë të informatave që posedon institucioni që ai drejton deri më tash janë raportuar 120 mjekë të prekur me Covid – 19, gjë që sipas tij përbën alarm.

“Ne jemi duke i mbledhur informatat, përkundër që sistemi i mbledhjes së informatave është tejet i vështirë tek ne, sepse ne si vend nuk e kemi në kulturë raportimin, por gjatë javës së kaluar kemi filluar që t`i mbledhim informata më të sakta. Momentalisht kemi informata se numri i mjekëve të infektuar ka arritur në 140, ndonëse disa prej tyre e kanë kaluar por numri i tyre është rritur pas hapjes totale që ndodhi. Vetëm gjatë javës së kaluar janë raportuar 35 mjekë të infektuar që mund të themi se është alarmante”, ka deklaruar ai.

Sejdiu tutje ka bërë të ditur se me krijimin e ekipeve të reja mjekësore janë duke u mbuluar mungesat evidente të profesionistëve të fushës për trajtimin e rasteve me coronavirus.

“Sistemit tonë i nevojiten më shumë mjekë të infektives të cilët do të ishin më shumë si vijë e parë e frontit, e jo vetëm për diagnostifikimin, por edhe trajtimin fillestar të infeksionit. Por përkundër se Oda e Mjekëve në vazhdimësi ka bërë apel që të krijohen ekipe, më në fund menaxhmentet kanë filluar të krijojnë ekipe dhe suksesi është më i madh dhe kështu ulet edhe lodhja e stafit me këtë qasje multidiciplinare. Kjo ka filluar tek ne, jo sa kishim pasur dëshirë ne si profesionistë por ka mbërri në një nivel që ajo mungesë e mjekëve të fushave specifike është duke u mbuluar”, është shprehur ai.

Drejtori shëndetësisë: Kemi kapacitete për t’i mbuluar kërkesat e qytetarëve

Ndryshe nga profesionistët shëndetësor, Bujar Gashi, drejtor i Shëndetësisë në Prishtinë në një prononcim për Kallxo.com ka deklaruar se sa i përket kujdesit parësor shëndetësor ekzistojnë kapacitetet e nevojshme për përballje me coronavirus.

“Kapacitet e kujdesit parësor shëndetësor i kemi në rregull dhe jemi duke pasur mundësi që t`i përballojmë kërkesat e qytetarëve. Sigurisht ju e dini që prej shtabit kontaktohen çdo ditë qytetarët edhe ata që dalin pozitiv, edhe personat me mbi 60 vjet”, ka thënë ai.

Ai ka bërë të ditur se aktualisht në QKUK gjenden 30 qytetarë nga komuna e Prishtinës që janë në gjendje shëndetësore të lehtë dhe mesatare.

“Normalisht që ditëve të fundit ka fluks më të madh, por në klinika në QKUK kemi 30 qytetarë të komunës së Prishtinës që janë të shtrirë që janë prej gjendjes së lehtë deri kah gjendja mesatare me probleme shëndetësore”, ka shtuar Gashi.

“Po e sakrifikojmë vetveten për ta ruajtur shëndetin e pacientëve”

Mantelbardhët po sakrifikojnë shëndetin e tyre për ta mbrojtur shëndetin e qytetarëve.

Në një intervistë për Kallxo.com, pulmologu Bahri Thaçi ka deklaruar se klinikat e improvizuara për shtrirjen e pacientëve të prekur me Covid – 19 nuk i plotësojnë as 20 % të kushteve dhe standardeve për ballafaqim me pandeminë.

“Në klinikën tonë janë infektuar disa motra e mjekë, por edhe të gjithë ne që punojmë aty jemi të rrezikuar që të infektohemi përkundër gjithë masave të ndërmarra, sepse realisht këto klinika që ne i kemi improvizuar për shtrirjen e të prekurve me Covid – 19 as 20 % nuk i plotësojnë kushtet dhe standardet se si duhet të jenë këto klinika. Të gjithë pacientët e shfrytëzojnë një WC, të gjithë e shfrytëzojnë një korridor, gjë që nuk duhet të ndodhte por që neve na është imponuar dhe ne stafi shëndetësor duke e sakrifikuar vetveten po mundohemi t`i ruajmë pacientët dhe shëndetin e tyre”, ka thënë ai.

Sipas tij me shtimin e rasteve me coronavirus, stafi mjekësor shpeshherë detyrohet t’i liroj para kohe pacientët, që të krijohen vende të reja për pacientët në gjendje më të rënd.

“Problemi më i madh është që kemi një numër të madh të pacientëve që tash me kapacitet që janë kanë filluar që të harxhohen dhe nganjëherë detyrohemi që t’i dërgojmë pacientët më shpejt në shtëpi, që të mund të lirohen vende për pacient të ri. Shumica prej tyre vijnë me komplikime në mushkri, me ndezje të dy anshme”, ka shtuar ai.

Por një optimizëm në tërë këtë situatë sipas tij e kanë shtuar stafi i ri mjekësor i punësuar së fundmi, përmes të cilëve është zbutur paska gjendja e rëndë e krijuar në klinika.

“Staf të mjaftuar nuk kanë as shtetet më të zhvilluara e me mjekësi më të avancuar se ne, e lëre më ne si Kosovë që nuk kemi investuar shumë në kuadro shëndetësore, por megjithatë me një riorganizim që është bërë së fundmi me punësimin e disa mjekëve të ri në një farë mënyrë është zbutur dukshëm kjo gjendje, sepse po na ndihmojnë neve mjekëve të vjetër dhe po kryhet punë që nuk mbërrinim ti kryenim më herët”, ka theksuar tutje Thaçi.

Krejt në fund ai apelon për kujdes të shtuar dhe respektim të masave tek qytetarët. Madje sipas Thaçit fati i gjithsecilit gjendet në duart e tyre.

“Unë mendoj që fati i qytetarëve gjendet në dorën e vet qytetarëve. Pas shtimit të rasteve të vdekjes me Covid – 19 të gjithë janë vetëdijesuar dhe vlerësoj se nëse të gjithë vazhdojnë t`i mbajnë maskat, besoj se vetëm kështu mund të zvogëlohet numri i të prekurve me virus”, ka përfunduar ai.

Ministria e Shëndetësisë ka bërë publike rastet e reja me COVID-19, të infektuar në 24 orët e fundit.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë janë infektuar  142 persona duke e çuar numrin e rasteve pozitive në 5877 Sipas Ministrisë janë shëruar 101  persona ndërsa kanë vdekur 139  të tjerë.

Dje kanë qenë të infektuar 118 persona. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 3.069 raste, kurse numri i rasteve aktive është 2.669.

Sipas IKShPK gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 485 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren.

Që nga muaji qershor në Kosovë ka shënuar rritje numri i personave të vdekur dhe atyre të infektuar me coronavirus. Madje Kosova aktualisht është shteti i parë në Evropë për kah numri i rasteve të reja, duke lënë kështu pas edhe Malin e zi, Maqedoninë e Serbinë.